“Sjellje çnjerëzore ndaj Metës”, Berisha: Të lirohet ish-presidenti. Seancat duhet të jenë të hapura

Partia Demokratike ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për trajtimin që, sipas saj, po i bëhet ish-Presidentit Ilir Meta pas nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij.
Në një deklaratë publike, kreu i PD-së Sali Berisha e cilësoi çnjerëzor arrestimin, paraburgimin dhe paraqitjen e Metës në sallën e gjyqit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të kreut të Partisë së Lirisë.
Berisha i bëri gjithashtu thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës që të ndërhyjë urgjentisht për rastin e Metës, duke e konsideruar situatën si hakmarrje politike.
Kreu demokrat mbështeti edhe kërkesën që seancat gjyqësore të jenë publike dhe të hapura për median, duke theksuar se kjo duhet të jetë normë në çdo vend të lirë, përveç rasteve që prekin sigurinë kombëtare.
Në muajt e fundit, disa figura politike të përballura me akuza nga SPAK kanë kërkuar zhvillimin e seancave të hapura për publikun dhe mediat.


