Vrasja e të dënuarit përjetë në Greqi, dyshime se në vendngjarje ndodhej Alket Rizai! Shqiptarit i merren gjurmë ADN-je...

Aktualitet

Vrasja e të dënuarit përjetë në Greqi, dyshime se

Autoritetet greke vijojnë ende hetimet për vrasjen me dy plumba në kokë të një të dënuari me burgim të përjetshëm, Antonis Papadatos, brenda ish-zyrës së kryerojes në burgun e Domokosit, vend i cili nuk ishte i dukshëm nga kamerat e sigurisë.

Mediat greke shkruajnë se nga hetime e deritanishme, janë arrestuar dy persona, një i dënuar bullgar me precedentë të rëndë penalë dhe kryeroja i burgut. Skenari i paraqitur prej tyre, se viktima i sulmoi me qëllim për të vrarë punonjësin e burgut, nuk ka bindur autoritetet gjyqësore.

Autoritetet kanë marrë mostra nga duart e dy të arrestuarve për të verifikuar praninë e mbetjeve të barutit. Mostër është marrë edhe nga shqiptari Alket Rizai, pavarësisht se bullgari dhe kryeroja mohojnë praninë e tij në vendngjarje.

Megjithatë, ka disa dëshmi që e vendosin atë pranë zonës së vrasjes, çka çoi në marrjen e mostrës edhe prej tij.

Duke qenë se vrasja ndodhi në një ambient të mbyllur, është e mundur që edhe persona që nuk kanë qëlluar vetë të kenë gjurmë baruti. Për rrjedhojë, ky element mund të mos identifikojë autorin e të shtënave, por mund të provojë praninë e personave të caktuar në vendin e ngjarjes, shkruan Protothema.

Mundësia që arma të ishte në posedim të viktimës konsiderohet shumë e vogël. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor nuk rezulton të ketë pasur përleshje. Një fakt që ngre pikëpyetje të mëdha është se arma u gjet e pastër nga gjurmët e ADN-së dhe shenjat e gishtërinjve.

Kjo ngre disa pyetje thelbësore: Nëse arma është fshirë nga dikush, a nuk bie poshtë kjo versionin e përleshjes? Pse do ta pastronte dikush armën, nëse më pas do të pranonte kryerjen e aktit?

Në deklaratat e tyre, bullgari dhe kryeroja japin shumë detaje për atë që ndodhi para dhe pas vrasjes. Megjithatë, për momentin e të shtënave ata paraqesin boshllëqe në rrëfimin e tyre, një element që oficerë me përvojë të Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar e konsiderojnë si “tregues faji”.

ME TE LEXUARAT