Zbulohet magazina me medikamente mjekësore të skaduara në Tiranë, shpallet në kërkim administratori

Sekuestrohen mbi 10 mijë suplemente të skaduara dhe të kontrabanduara në një magazinë në kryeqytet.
Në kërkim është shpallur administratori nga Bosnja, ndërsa dy punonjës janë proceduar penalish.
Hetimi drejtohet nga Prokuroria e Tiranës për kontrabandë dhe produkte të rrezikshme për shëndetin.
Njoftimi:
Zbulohet se në një magazinë në Tiranë, mbaheshin për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, suplemente të skaduara dhe të kontrabanduara.
Sekuestrohen mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore.
Shpallet në kërkim administratori i subjektit (shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina), si dhe procedohen penalisht 2 punonjës.
Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.
Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.


