Zbulohet skema e mashtrimit nga Call Centerat në Tiranë

Mediat austriake duke iu referuar autoriteteve kanë zbardhur skemën e mashtrimit të shtetasve evropiane nga tre pika Call Centeri në Tiranë.
Referuar hetimeve, viktimat të cilët kanë humbur vlerën e rreth 50 milionë eurove, josheshin në investime me informacione të rreme.
Anëtarët e grupit për ti joshur qytetarët krijonin foto dhe video me përmbajtje false duke përdorur personazhe të njohur si Presidenti Federal Alexander Van der Bellen, Ish-Kancelari Federal Karl Nehammer, futbollistin e njohur David Alaba, kapiten i kombëtares austriake, dhe disa prezantues të njohur.
Vetëm në Austri mësohet se pati 150 qytetarë të mashtruar, në vlerën e 26 milionë eurove, ndërsa të tjerët ndodheshin në Gjermani, Itali, Greqi, Spanjë, Britaninë e Madhe por dhe Kanada.
Investimi minimal ishte 250 euro, megjithëse disa viktima investuan të gjitha kursimet e tyre, që arrinin në miliona euro.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Tiranë, u zbuluan tre ambiente me 450 punonjës. Në njërën prej pikave të Call Center policia gjeti 80 persona, ndërsa të tjerë u arratisën përmes daljeve të fshehta.
Nga hetimet e përbashkëta të Autoriteteve Austriake, Shqiptare, Europol dhe Eurojust, dëmi arrin në të paktën 50 milionë euro, por hetuesit mendojnë të jetë më i lartë. Deri më tani janë arritur të rikuperohen 900 mijë euro.


