Zgjaten afatet e qëndrimit, ukrainasit mund të qëndrojnë pa leje në Shqipëri deri në 30 mars 2027

Aktualitet

Zgjaten afatet e qëndrimit, ukrainasit mund të qëndrojnë pa

Qeveria ka marrë një vendim të ri për shtetasit ukrainas në Shqipëri, duke u zgjatur afatin e qëndrimit pa leje deri në mars 2027.

Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, qytetarët ukrainas do të mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30 mars 2027.

E njëjta masë vlen edhe për shtetasit ukrainas që ndodhen aktualisht në territorin shqiptar, të cilëve u zgjatet automatikisht afati i qëndrimit deri në këtë datë.

Me këtë vendim, shfuqizohet akti i mëparshëm i vitit 2022 që rregullonte hyrjen dhe qëndrimin e tyre në Shqipëri.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa për zbatimin e tij ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Vendimi i plotë 

V E N D I M  PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES E TË QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtetasit e Ukrainës lejohen të hyjnë pa vizë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027.

2. Shtetasit e Ukrainës, të cilët gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë,  lejohen të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027.

3. Vendimi nr.169, datë 18.3.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

ME TE LEXUARAT