“BE të shtojë dëbimet”/ Organizata për emigracionin: Kush nuk merr azil, të ikë!
Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare për Politikat e Emigracionit ka bërë thirrje që BE-ja të shtojë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar në kuadër të paktit të ri për emigracionin dhe e ka mbrojtur organizatën e tij ndaj kritikave për shkelje të të drejtave të njeriut.
Kreu i organizmit me mjaft ndikim, që financohet nga Bashkimi Europian për këshillim mbi emigracionin mohoi përgjegjësinë për ato që e quajti “raste individuale” të abuzimeve me të drejtat e njeriut nga autoritetet në vendet ku vepron qendra në fjalë.
Michael Spindelegger, ish-zëvendëskancelar nga Partia Popullore Austriake konservatore, foli për agjencinë e lajmeve AFP, ndërsa Brukseli po përballet me presion për të ndaluar apo dëbuar migrantët, për shkak të forcimit të partive të djathta ekstreme që kanë qasje kundër migracionit në mbarë Evropën.
Pakti i migracionit i BE-së, i miratuar vitin e kaluar dhe që do të hyjë në fuqi në qershor 2026, forcon procedurat për azilkërkuesit në kufijtë e bllokut.
“Është shumë e rëndësishme që të krijohet një politikë funksionale e kthimit, gjithashtu në frymën e këtij pakti Nëse dikush vjen, nuk merr azil dhe më pas qëndron gjithsesi, dhe nuk ndodh asgjë, kjo është një shenjë shumë e keqe për shtetin ligjor. Është e rëndësishme që personat e dëbuar të riintegrohen në vendet e tyre të origjinës në mënyrë që të mos largohen sërish.“- tha ai.
Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave të urdhëruar të largohen nga BE-ja kthehen në vendet e tyre të origjinës, sipas të dhënave të Bashkimi Europian.