Nga trend në kaos: Labubu lidhet me demonin Pazuzu, rrjeti shpërthen në panik

Bota

Nga trend në kaos: Labubu lidhet me demonin Pazuzu, rrjeti shpërthen

Një teori e re konspirative po qarkullon me shpejtësi në mediat sociale, duke lidhur lodrën popullore Labubu me një nga figurat më të errëta të mitologjisë mesopotamiane – demonin Pazuzu. Çfarë nisi si një trend i pafajshëm në çantat e yjeve si Dua Lipa dhe Rihanna, po shndërrohet në një debat të ndezur mbi simbolet e errëta në kulturën pop.

Sipas mitologjisë së lashtë, Pazuzu ishte mbreti i demonëve të erës, i lidhur me sëmundje, thatësirë dhe stuhitë. Ai përshkruhej me fytyrë të deformuar, sy të thellë, vetulla të mëdha, krahë të hapur dhe një buzëqeshje të egër – tipare që, sipas disa përdoruesve në internet, janë “frikshëm të ngjashme” me ato të Labubu-t.

Një imazh viral që krahason Labubu-n me një figurë të Pazuzusë ka ndezur alarmin në rrjet. Komente si:

“Nuk jam supersticioz, por kjo lodër më ngjan më shumë me një entitet demonik se një përbindësh i lezetshëm”
apo “Ky është Pazuzu i ‘The Exorcist’, jo ndonjë ikonë qesharake e pop artit”
janë bërë të zakonshme në platforma si X (ish-Twitter) dhe TikTok.

Disa përdorues madje po djegin Labubu-të e tyre ose i spërkasin me ujë të bekuar, të bindur se kjo figurë mbart energji të errëta. Të tjerë kërkojnë më shumë kujdes përpara se të bien pre e trendeve virale, që sipas tyre “fshehin simbole okulte”.

Nga ana tjetër, Kasing Lung, artisti krijues i Labubu-t, ka deklaruar më parë se frymëzimi i tij vjen nga mitologjia nordike dhe jo nga ajo mesopotamiane. Ai nuk ka komentuar ende mbi këtë teori që po përhapet me shpejtësi.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një rastësi të çuditshme apo për një marketing të padukshëm, një gjë është e qartë: rrjeti po reagon me frikë dhe mosbesim ndaj diçkaje që, deri dje, konsiderohej thjesht e “këndshme” dhe koleksionabile.

ME TE LEXUARAT