“Cinike dhe hipokrite”, Kuba akuzon SHBA-në për luftë ekonomike

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez, akuzoi të martën Shtetet e Bashkuara për përshkallëzim të presionit ndaj vendit të tij përmes masave ekonomike dhe kërcënimeve të mundshme.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Rodriguez tha se qeveria amerikane po lë të kuptohet mundësia e një veprimi ushtarak, duke e përshkruar këtë si cinike dhe hipokrite, duke pasur parasysh, sipas tij, përpjekjet shumëvjeçare për të dobësuar ekonominë kubane.
Ai theksoi se masat ekonomike dhe çdo ndërhyrje e mundshme ushtarake do të përbënin shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe i cilësoi ato si “krime ndërkombëtare”, duke përmendur bllokadën ekonomike dhe masat e reja shtrënguese si faktorë që rëndojnë situatën në vend.
Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, mohoi se Uashingtoni po vendos një bllokadë nafte ndaj Kubës. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se nuk ekziston një bllokadë e tillë, pavarësisht paralajmërimeve për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me naftë.


