Donald Trump: “Mrekulli e Pashkëve” – si u realizua operacioni për shpëtimin e pilotit amerikan në Iran

Piloti amerikan i zhdukur në Iran u shpëtua pas një operacioni shumë të rrezikshëm kërkim-shpëtimi në thellësi të territorit iranian, disa ditë pasi avioni luftarak F-15E me të cilin po fluturonte u rrëzua.
Ai u gjet në një zonë malore, i plagosur, ndërsa forcat iraniane po kërkonin intensivisht. Pavarësisht rrezikut të lartë, forcat amerikane arritën ta nxirrnin të gjallë, ndërsa më herët kishin shpëtuar edhe anëtarin tjetër të ekuipazhit.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi operacionin si një “Mrekulli të Pashkëve”, duke lavdëruar ekipet që morën pjesë. Në një intervistë ai deklaroi: “Shpëtimi ishte një mrekulli e Pashkëve. Armiku ishte i madh dhe i dhunshëm. Shpëtimtarët ishin brilantë, të fortë, vendimtarë dhe jashtëzakonisht të qetë. Një shpëtim i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në një territor kaq të rrezikshëm armik. Zakonisht nuk ndërmerret, sepse konsiderohet i pamundur.”
Operacioni u zhvillua pas rrëzimit të avionit F-15 në Iran, që nxiti një mision disa-ditor kërkim-shpëtimi. Fillimisht u gjet dhe u evakuua njëri prej pilotëve, ndërsa i dyti mbeti i zhdukur për një kohë në terrenin e vështirë malor.
Në një deklaratë publike, Trump e përshkroi ndërhyrjen si një nga më të guximshmet në historinë ushtarake të SHBA-së dhe dha detaje për gjendjen e pilotit:
“Gjatë orëve të fundit, ushtria amerikane realizoi një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e saj. Ai është i plagosur, por do të jetë mirë. Ne shpëtuam një anëtar të ekuipazhit të F-15, seriozisht të plagosur, por jashtëzakonisht të guximshëm, nga thellësitë e maleve të Iranit. Ushtria iraniane po kërkonte intensivisht, me forca të shumta, dhe po afrohej.”
Ai theksoi se operacione të tilla ndërmerren rrallë për shkak të rrezikut të madh për personelin dhe pajisjet:
“Ky lloj operacioni ndërmerret rrallë për shkak të rrezikut për njerëzit dhe pajisjet. Thjesht nuk ndodh zakonisht.”
Trump bëri të ditur gjithashtu se shpëtimi i pilotit të parë ishte mbajtur i fshehtë për të mos rrezikuar operacionin e dytë:
“Ky operacion i mrekullueshëm vjen pas një tjetër shpëtimi të suksesshëm të një piloti trim, dje, të cilin nuk e konfirmuam, sepse nuk donim të rrezikonim operacionin e dytë.”
Sipas tij, shpëtimi i dy pilotëve në dy operacione të ndara, në thellësi të territorit armik, është një rast i paprecedentë: “Kjo është hera e parë në historinë ushtarake që dy pilotë amerikanë shpëtohen veçmas në territor armik.”
Si ndodhi operacioni që zgjati 48 orë
SHBAtë shpëtuan pilotin e avionit F-15E, i cili ishte zhdukur në thellësi të Iranit, përmes një misioni jashtëzakonisht kompleks dhe të guximshëm. Në operacion u përfshinë forcat elitare SEAL Team 6, një ‘mashtrim’ i organizuar nga CIA, ndërtimi i shpejtë i një piste ajrore të përkohshme në territor armiqësor, si dhe patrullime të avionëve aleatë që i siguruan mbulim kolonelit të Forcave Ajrore.
Një garë jetike mes forcave amerikane dhe atyre iraniane për të gjetur oficerin e armatimeve, i cili ishte i plagosur pranë Isfahanit, zgjati dy ditë dhe përfundoi me nxjerrjen e tij nga komandot më elitare amerikane, si dhe me një përplasje me armë zjarri kundër milicive lokale që po e kërkonin.
Oficeri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u fsheh në zonat malore dhe arriti të ngjitej në një kreshtë rreth 2,100 metra të lartë për t’i shpëtuar kapjes, ndërsa dronët amerikanë MQ-9 Reaper godisnin me raketa forcat iraniane aty pranë sa herë që ato i afroheshin pozicionit të tij, sipas raportimeve.
Në përpjekje për të hutuar forcat iraniane, të cilat kishin vendosur një shpërblim prej 60,000 dollarësh (më shumë se 10 herë të ardhurat mesatare familjare) për kapjen e tij, CIA organizoi një manovër mashtruese, duke përhapur informacione të rreme se ai tashmë ishte shpëtuar dhe po nxirrej jashtë Iranit, sipas raportimeve të The Times.
Operacioni përfshinte uljen e disa avionëve transportues brenda territorit iranian, në jug të qytetit të Isfahanit, rreth 320 kilometra në brendësi të vendit.
Një pistë uljeje e Forcave Ajrore të SHBA-së u ngrit pranë qytetit, i cili strehon shumë nga bazat raketore dhe ushtarake të Iranit, objektet bërthamore, si dhe pjesën e mbetur të flotës së avionëve luftarakë F-14. Dy prej avionëve — që besohet të kenë qenë MC-130J Commando II, avionë transporti të specializuar dhe të teknologjisë së lartë — mbetën të bllokuar në këtë pistë të përparuar brenda Iranit, dhe tre avionë të tjerë u dërguan për të marrë forcat amerikane që kishin mbetur të izoluar atje, sipas The Times.
Dy avionët MC-130J — secili me vlerë rreth 100 milionë dollarë — u shkatërruan në vend, për të mos rënë në duart e armikut.


