FOTO/ Vdekja e zhytësve në Maldive, publikohen pamjet nga “Shpella e Peshkaqenëve”! Si humbën jetën italianët

Bota

FOTO/ Vdekja e zhytësve në Maldive, publikohen pamjet nga

Detaje të reja kanë zbardhur dinamikën e tragjedisë së ndodhur në Maldive, ku pesë zhytës italianë humbën jetën pasi mbetën të bllokuar në një shpellë nënujore të njohur si “Shpella e Peshkaqenëve”.

Fotografitë e publikuara nga organizata ndërkombëtare DAN Europe, e specializuar në operacione shpëtimi në zhytje, tregojnë për një ambient të rrezikshëm dhe me dukshmëri tepër të kufizuar, ku drita depërton vetëm në hyrje të shpellës, ndërsa pjesa e brendshme zhytet shpejt në errësirë të plotë.

FOTO/ Vdekja e zhytësve në Maldive, publikohen pamjet nga
Sipas ekipeve të kërkim-shpëtimit, trupat e pesë italianëve, Monica Montefalcone, Giorgia Sommacal, Federico Gualtieri dhe Muriel Oddenino u gjetën në të njëjtin seksion të shpellës nga një ekip zhytësish finlandezë, të cilët realizuan edhe operacionin e nxjerrjes së tyre në sipërfaqe. Ndërsa italiani i pestë Gianluca Benedetti, u gjet disa metra më tutje.

Zhytësi Sami Paakkarinen, pjesë e ekipit finlandez, ka deklaruar se momenti i gjetjes së trupave ishte emocionalisht i rëndë, por edhe lehtësues për ekipin e kërkimit, pasi për disa orë nuk kishte asnjë gjurmë të tyre.

Sipas tij, shpella është rreth 60 metra e thellë dhe afërsisht 200 metra e gjatë, por me strukturë komplekse dhe shumë të vështirë për orientim.

FOTO/ Vdekja e zhytësve në Maldive, publikohen pamjet nga

“Trupat ishin të gjithë së bashku në një pjesë të shpellës. U ndjemë shumë të lehtësuar kur i gjetëm, sepse gjatë zhytjes së parë kishim kaluar shumë kohë pa i lokalizuar dhe po fillonim të mendonim se nuk ndodheshin më aty. Pastaj ndjemë lehtësim, sepse e dinim që do t’i nxirrnim në sipërfaqe”, ka rrëfyer Paakkarinen, zhytësi finlandez që së bashku me kolegët Jenni Westerlund dhe Patrik Granqvist kreu rikuperimin e trupave.

 

“Shpella  është shumë e thellë, 60 metra, nuk është shumë e gjatë, rreth 200 metra, por është shumë e vështirë. Kemi eksploruar shpella edhe më të gjata e më të thella, çdo shpellë është e rrezikshme, por këtë do ta përshkruaja si veçanërisht sfiduese. Prioriteti ynë ishte siguria e vetë zhytësve. Nuk donim që të ndodhnin incidente gjatë operacionit të rikuperimit të trupave”, është shprehur ai.

Ekipi nuk jep përfundime të qarta mbi atë që mund t’u ketë ndodhur italianëve të mbetur të bllokuar në një zgavër të pjesës së dytë të shpellës.

Por, sipas hipotezës më të mundshme, ata mund të jenë çorientuar gjatë kthimit nga pjesa e dytë e shpellës drejt hyrjes. Si pasojë, ata dyshohet se kanë konsumuar të gjithë oksigjenin e bombolave të tyre, të cilat ishin të tipit rekreativ me kapacitet 11–13 litra.

Sipas ekspertëve, hyrja në shpellë ndodhet në një thellësi prej 50–55 metrash, çka e bën zhytjen tepër të rrezikshme pa pajisjet e duhura teknike.

Gazetarë që kanë ndjekur nga afër hetimet raportojnë se brenda shpellës ekzistojnë korridore të ngjashme, ku sedimentet e lëvizura nga rrymat krijojnë iluzione optike dhe e bëjnë orientimin shumë të vështirë.

Një nga tunelët e brendshëm, i cili dukej si dalje, rezultoi të ishte një “rrugë e verbër”, ku u gjetën edhe trupat e katër prej viktimave.

Ekspertët theksojnë se në momentin e ngjarjes, grupi kishte në dispozicion vetëm pajisje për zhytje rekreative dhe jo gaz special për thellësi të mëdha (trimix), i cili përdoret për të reduktuar rrezikun e humbjes së orientimit dhe efekteve të presionit.

Sipas organizatorëve të operacionit të shpëtimit, në thellësi të tillë koha e qëndrimit me pajisje standarde është shumë e kufizuar, duke e bërë çdo gabim në orientim potencialisht fatal.

Autoritetet dhe ekspertët ndërkombëtarë të zhytjes i kanë bërë thirrje institucioneve në Maldive që të rishikojnë rregullat për zhytjet në shpella, duke kërkuar hartëzim të plotë të zonave nënujore dhe përcaktim të qartë të standardeve për zhytje rekreative dhe teknike, me qëllim parandalimin e tragjedive të ngjashme në të ardhmen.

FOTO/ Vdekja e zhytësve në Maldive, publikohen pamjet nga

ME TE LEXUARAT