Harta e Trumpit ndez polemika/ SHBA-ja shfaqet mbi Kanada, Grenlandë dhe Meksikë

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar në rrjetin e tij Truth Social një hartë të pazakontë të Amerikës së Veriut, ku flamuri amerikan shfaqet mbi Shtetet e Bashkuara, por edhe mbi pjesë të mëdha të Kanadasë, Grenlandës dhe Meksikës.
Trumpi nuk ka dhënë asnjë shpjegim për publikimin, por harta është interpretuar si një tjetër mesazh politik që lidhet me ambiciet e tij territoriale dhe gjeopolitike.
Publikimi erdhi vetëm një ditë pasi presidenti amerikan shpërndau një tjetër grafik kontrovers, në të cilin New Mexico paraqitej si “New America”, ndërsa emri “Mexico” zëvendësohej me “America”.
Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar ndonjë nismë zyrtare për ndryshimin e emrit të shtetit.
Publikimet kanë shkaktuar reagime nga zyrtarë të New Mexico-s. Guvernatorja Michelle Lujan Grisham deklaroi se emri i shtetit “nuk është për debat”, duke akuzuar Trumpin se po merret me “ngjyrosjen e hartave”, ndërsa familjet amerikane përballen me rritjen e kostove të karburantit.
Senatori Martin Heinrich tha se do t'i quajë gjithmonë me emrat e tyre realë Gjirin e Meksikës, Liqenin Ontario dhe New Mexico.
Edhe kongresistët Melanie Stansbury dhe Gabe Vasquez e kundërshtuan idenë, duke theksuar se identiteti, historia dhe kultura e New Mexico-s nuk mund të ndryshohen përmes një harte.
Trumpi ka përdorur gjithnjë e më shumë hartat, ndryshimet e emërtimeve dhe referencat gjeografike si pjesë të komunikimit të tij politik.
Në janar 2025, ai urdhëroi që qeveria amerikane të përdorte emërtimin “Gjiri i Amerikës” në vend të Gjirit të Meksikës, ndërsa më 27 gusht nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte agjencitë federale të përdornin emrin “Lake America” për Liqenin Ontario.
Në sfond qëndron edhe çështja e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, për të cilin Trumpi ka shprehur vazhdimisht interes për ta vendosur nën kontrollin amerikan. Kjo ka shkaktuar tensione diplomatike me Kopenhagën dhe aleatët evropianë.
Ndërkohë, administrata Trump ka shtuar edhe presionin ndaj Kubës, përmes sanksioneve dhe masave të tjera ekonomike ndaj qeverisë së Havanës.
Harta e fundit shihet kështu si pjesë e një serie publikimesh ku gjeografia dhe ndryshimi i emërtimeve po përdoren si mjete të komunikimit politik të Trumpit, duke nxitur reagime si në SHBA, ashtu edhe jashtë saj.


