Hetimi: Hakerët iranianë qëndrojnë pas sulmit kibernetik në sistemin e transportit të Los Anxhelosit

Hakerë iranianë dyshohet se qëndrojnë pas një sulmi serioz kibernetik të ndodhur në mars ndaj sistemit të transportit urban të Los Anxhelosit, sipas një raporti të hetuesve izraelitë.
Sulmi detyroi ndërprerjen e disa pjesëve të rrjetit, ndërsa autorët dyshohet se kanë vjedhur të paktën 700 gigabajt të dhëna, përfshirë e-maile, kopje rezervë dhe dokumente të Autoritetit të Transportit Metropolitan të Qarkut të Los Anxhelosit (LACMTA).
Të dhënat janë publikuar nga kompania e sigurisë kibernetike Gambit Security, e cila i ka zbuluar ato pasi u ekspozuan aksidentalisht në internet, sipas raportimeve të Reuters.
Në analizën e saj, kompania thotë se gjurmë digjitale lidhin serverin ku u gjetën të dhënat me aktivitetin e një grupi hakerësh që autoritetet izraelite dhe studiuesit e lidhin me Iranin.
Autoritetet iraniane në Kombet e Bashkuara nuk kanë dhënë koment, ndërsa as institucionet izraelite të sigurisë kibernetike nuk janë prononcuar.
Edhe autoriteti i transportit të Los Anxhelosit nuk ka komentuar mbi ygjetjet, por ka deklaruar më herët se po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese dhe ekspertët për rikthimin e sistemeve në funksion.
Sipas hetimit, sulmi lidhet me një grup të quajtur “Ababil of Minab”, i cili mori përgjegjësinë për incidentin dhe pretendoi se kishte fshirë sasi të mëdha të dhënash.
Grupi dyshohet gjithashtu për sulme ndaj sistemeve të tjera në SHBA dhe jashtë saj, përfshirë rrjetin hekurudhor Tri-Rail në Florida dhe kompani teknologjike e infrastrukturore.
Ekspertët e sigurisë besojnë se grupe të tilla shpesh veprojnë si mbulesë për operacione shtetërore të inteligjencës kibernetike, megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar nga Teherani.
Edhe FBI ka deklaruar se është në dijeni të rastit dhe po bashkëpunon me autoritetet përkatëse, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi hetimin.