Hormuzi, Rutte “porosi” vendeve të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka informuar disa kryeqytete se Presidenti, Donald Trump, dëshiron angazhime konkrete brenda ditëve të ardhshme për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Kërkesa vjen pas takimit që shefi i NATO-s zhvilloi në Uashington me presidentin amerikan të mërkurën në mbrëmje.
Kancelari i Gjermanisë, Merz tha këtë të enjte se nuk donte që lufta SHBA-Iran të shkaktonte ndonjë tension të mëtejshëm brenda NATOs.
“Ne nuk duam, nuk dua që NATO të ndahet. NATO është garantuese e sigurisë sonë dhe Evropës. Ne duhet të vazhdojmë të ruajmë qetësinë për këtë çështje”, tha Merz.
Gjatë muajit të fundit, përfshirë edhe këtë të enjte Trump ka përsëritur kritika të ashpra ndaj aleancës se nuk ishte aty kur SHBA kishte nevojë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, NATO dështoi në testin e luftës me Iranin.
Ai ka thënë edhe se po shqyrton seriozisht tërheqjen e Shteteve të bashkuara nga NATO pas përfundimit të luftës në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë sipas një artikulli të “Uall Street Journal”, Presidenti planifikon të zhvendosë trupat në shtetet aleate që treguan besnikëri maksimale.
Në shënjestër të Uashingtonit janë vendosur Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja, të cilat kufizuan përdorimin e hapësirës ajrore dhe logjistikën për avionët amerikanë. Dhe përfituesit e kësaj lëvizjeje pritet të jenë Polonia, Rumania, Lituania dhe Greqia, të cilat Trump i konsideron si partnerët më të palëkundur të Amerikës dhe Izraelit./tvklan


