Humbi jetën gjatë zhytjes në Maldive, prek i fejuari i 22-vjeçares: Në fund mbetet vetëm dashuria

Një mesazh prekës është publikuar nga i fejuari i Giorgia Sommacal, e cila humbi jetën tragjikisht gjatë një zhytjeje në Maldive së bashku me nënën e saj dhe persona të tjerë.
Në letrën e tij emocionale, Federico Colombo ndan dhimbjen e madhe të humbjes dhe reflektimet që kjo tragjedi i ka lënë për jetën dhe dashurinë. Ai shkruan se shpesh njerëzit e kuptojnë vlerën e çasteve të vogla vetëm pasi ato nuk ekzistojnë më.
“Humbja më bëri të kuptoj se asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë. Duhet të kemi kurajën të duam më fort, të themi atë që ndjejmë dhe të mos e shtyjmë lumturinë për nesër”, shprehet ai në mesazhin e publikuar nga mediat italiane.
Federico kujton me mall buzëqeshjet, bisedat e përditshme dhe momentet e thjeshta që, sipas tij, marrin kuptim të vërtetë vetëm kur mungojnë. Ai thekson se jeta është e brishtë dhe se çdo ditë duhet jetuar me më shumë vetëdije dhe dashuri për njerëzit që kemi pranë.
“Në fund, ajo që mbetet është dashuria që kemi dhënë. Prandaj duhet të nxitojmë të duam, pa pritur momentin e përsosur”, përfundon ai letrën e tij prekëse.


