Italia e dëboi, shqiptari i skeduar për drogë dhe sulme hyn ilegalisht! I gjendet edhe një pistoletë

Një 51-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohet për shkelje të ndalimit të rihyrjes në territor, të vendosur pas një urdhri të mëparshëm dëbimi.
Sipas autoriteteve italiane në Manduria, provinca e Tarantos, ai ishte dëbuar më herët nga Italia pas arrestimit për vepra penale që lidhen me pronën dhe drogën. Megjithatë, dyshohet se ka hyrë sërish ilegalisht në vend, duke u kthyer në zonën ku më parë kishte qëndruar.
Hetimet kanë treguar se 51-vjeçari lëvizte pa një vendbanim të qëndrueshëm, çka e ka bërë të vështirë lokalizimin e tij. Pas disa ditësh kërkimesh, policia e ka gjetur në një shtëpi të izoluar në një zonë rurale.
Gjatë kontrollit të banesës, efektivët kanë sekuestruar edhe një pistoletë, element që ka rënduar më tej pozitën e tij ligjore.
Me vendim të autoriteteve gjyqësore, ai është arrestuar dhe është transferuar në burgun e Tarantos, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.


