Sulmi në Katar, rritet çmimi i gazit në Europë/ Dyfish më lart, nafta 113 USD për fuçi

Bota

Sulmi në Katar, rritet çmimi i gazit në Europë/ Dyfish

Çmimi i gazit është rritur ndjeshëm pas sulmit të Iranit ndaj impiantit kryesor të Ras Laffan në Katar.

Në tregjet me shumicë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në pjesë të tjera të Europës, në çelje të bursave, çmimi ishte rritur me mbi 25%, para se të ulej pak më vonë.

BBC thotë se niveli i kuotimit është aktualisht nën pikun e mbërritur më herët këtë muaj, por është për çdo rast më shumë se dyfishi i nivelit të shënuar përpara fillimit të konfliktit. Edhe nafta po tregtohet rreth 5% më shtrenjtë, duke mbërritur 113 dollarë për fuçi.

Luhatjet e fundit i faturohen dy valë sulmesh të fundit iraniane, të cilat shkaktuan “dëmtime të mëdha” në qendrën kryesore të gazit në Katar, sipas kompanisë shtetërore të energjisë të vendit. Katari pohoi se raketat iraniane kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin industrial të Ras Laffanit.

“Shteti i Katarit e dënon me forcë shënjestrimin e Ras Laffanit, që shkaktoi zjarre të cilat rezultuan në dëmtime të mëdha në impiant,” thuhet në deklaratën e lëshuar prej ministrisë së Punëve të Jashtme atje. Kjo është pikërisht përshkallëzimi të cilit i druheshin shtetet arabe të Gjirit. Ajo që nisi thuajse tre javë më parë, si përgjigje ndaj ofensivës amerikano-izraelite ndaj Iranit me raketat iraniane që kryesisht kishin shënjestruar shtetin hebre dhe bazat e SHBA-së në rajon, tani është shndërruar në sulme ndaj sektorit të energjisë. Nafta, gazi dhe produktet petrokimike janë ato që i kanë transformuar shtetet në fjalë, duke i kthyer në vende super ta pasura brenda  pak dekadash.

Katari, siç thotë BBC, është veçanërisht i zemëruar sepse si privatisht, ashtu edhe në publik e kishte këshilluar SHBA-në që të mos e sulmonte Iranin në shkurt. Pavarësisht se shtetet arabe të Gjirit kanë një mbrojtje ajrore tejet efektive, disa raketa balistike iraniane u interceptuan mbrëmë mbi Riad, pikërisht ndërsa po mbahej një takim ministror i 12 vendeve me shumicë myslimane, çka dëshmon qartë se arsenali i Iranit përbën kërcënim dhe se disa raketa të tij kanë arritur t`i shmangin kundërajrorët.

ME TE LEXUARAT