Irani i përgjigjet Trump për Italinë: S’kemi arsye ta godasim Romën, e duam popullin italian

Përfaqësi iraniane kanë reaguar ndaj deklaratave të forta të presidentit amerikan Donald Trump mbi rrezikun bërthamor dhe kërcënimet ndaj Evropës.
“Pse duhet të godasim Italinë? Ne e duam popullin italian, futbollin dhe ushqimin. Dhe i duam Romën, Milanon, Venecian, Firencen, Napolin e gjithë qytetet e saj”, thuhet në reagimin e tyre sipas Corriere della Sera.
“Irani ka një armë bërthamore që do ta hidhte në erë Italinë për dy minuta”, ishte deklarata e Trump për Italinë teksa fliste në Corriere della Sera, e cila u pasua nga përgjigja e palës iraniane.
Reagimi i cituar nga vetë gazeta e njohur italiane, vjen nga ambasada e Iranit në Tajlandë përmes një postimi në platformën X, ku nënvizohet admirimi për Italinë, një qasje kjo që sipas Corrieres mund të ketë edhe një tjetër interpretim: Strategjia që ajatollahët po përdorin pas dështimit të bisedimeve në Islamabad mund të jetë ushqimi i ndasive në radhët e një Bashkimi Europian të brishtë me pasigurinë, mosvendosjen dhe frikërat e tij.
Sipas Corrieres, tani që lufta i ka kushtuar Evropës 22 miliardë euro në faturat e energjisë, që edhe Giorgia Meloni dhe sovranistët francezë apo gjermanë po përpiqen t’i shmangen përqafimit mbytës të Trump, në Teheran kanë kuptuar se strategjia e BE-së duhet rishikuar. Dhe se, më shumë se një vit pas fjalimit të famshëm të Vance në Mynih, kur zëvendëspresidenti erdhi të vizatonte manifestin MAGA, atmosfera në Evropë po ndryshon.


