Netanyahu dhe Aoun drejt Shtëpisë së Bardhë për takim trilateral me Trump, detajet e marrëveshjes së armëpushimit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti i Libanit, Joseph Aoun, pritet të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë për një takim trilateral me Donald Trump brenda 4-5 ditëve të ardhshme, siç deklaroi sot presidenti i SHBA-ve.
“Do të jetë hera e parë pas 44 vitesh që ata do të takohen, diçka që nuk pasqyron marrëdhënie të mira fqinjësie, duke qenë se janë vende fqinje”, u shpreh Trump para gazetarëve.
Detajet e marrëveshjes u publikuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate zyrtare. Sipas saj, Izraeli dhe Libani do të zbatojnë një armëpushim 10-ditor, me qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin e negociatave që synojnë një marrëveshje përfundimtare sigurie dhe paqeje. Kjo periudhë mund të zgjatet me marrëveshje të përbashkët midis palëve.
Sapo armëpushimi të hyjë në fuqi, qeveria libaneze do të ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar çdo sulm të mundshëm nga Hezbollah apo grupe të tjera të armatosura që veprojnë në territorin e Libanit kundër Izraelit.
Në të njëjtën kohë, theksohet se Izraeli “ruan të drejtën për të ndërmarrë, në çdo moment, të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje”.


