“Ishte i lodhur, i dhanë ilaç...”/ Djali i Biden zbulon shkakun e performancës së dobët të babait në debatin me Donald Trump

Bota

“Ishte i lodhur, i dhanë ilaç...”/ Djali i Biden zbulon

Djali i ish-presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, ka folur për herë të parë për debatin e shumëpërfolur të të atit me Donald Trump, duke hedhur dritë mbi arsyet që, sipas tij, sollën performancën e dobët të Biden dhe më pas tërheqjen e tij nga gara presidenciale.

Në një intervistë për gazetarin Andrew Callaghan, që citohet nga Reuters, Hunter tha se Joe Biden ishte tepër i lodhur nga udhëtimet ndërkombëtare dhe se kishte përdorur medikamentin Ambien për të fjetur, vetëm pak orë para debatit.

“Nuk kam asnjë dyshim për atë që ndodhi. Ai kishte udhëtuar rreth botës, mund të kishte fluturuar tre herë përreth globit. Është 81 vjeç. Ishte i lodhur për vdekje. I dhanë Ambien që të mund të flinte. Pastaj doli në skenë dhe dukej si një dre i kapur në dritat e makinës”, u shpreh ai.

Ambien është një ilaç që përdoret për trajtimin afatshkurtër të pagjumësisë. Zyra e Joe Biden deri tani nuk ka komentuar për këtë deklaratë të të birit. Ish-presidenti Biden ishte përgatitur për ditë me radhë në Camp David përpara debatit të 27 qershorit 2024 me Trump, por më parë kishte pasur dy udhëtime në Evropë dhe një ndalesë në Bregun Perëndimor për mbledhje fondesh.

Në debat, Biden shpesh e pati të vështirë të përfundonte mendimet, duke shkaktuar reagime të forta dhe presion nga vetë Partia Demokrate që më pas çuan në tërheqjen e tij nga gara. Më pak se një muaj pas debatit, Biden shpalli tërheqjen nga kandidatura, ndërsa kandidatura demokrate iu besua ish-zëvendëspresidentes Kamala Harris, e cila më vonë humbi përballë Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Hunter Biden shprehu gjithashtu zhgënjimin dhe zemërimin ndaj drejtuesve dhe ligjvënësve të Partisë Demokrate, të cilët, sipas tij, braktisën kandidaturën e të atit pas performancës së dobët në debat.

 

 

 

ME TE LEXUARAT