“Izolimi dixhital” i Trump në Pekin! Pse u detyrua ta linte telefonin në Air Force One për dy ditë

Një nga vendimet më të vështira që iu desh të merrte presidenti amerikan Donald Trump gjatë qëndrimit dyditor në Pekin ishte ndarja nga telefoni i tij personal, në kuadër të masave të rrepta të sigurisë kibernetike të vendosura gjatë vizitës në Kinë.
Sipas raportimeve të New York Post, Trump u udhëzua të mos përdorte asnjë pajisje personale elektronike gjatë vizitës, për të shmangur rrezikun e përgjimeve apo sulmeve të mundshme nga hakerat.
Kjo masë konsiderohet veçanërisht e pazakontë për Trump, i cili njihet për përdorimin e vazhdueshëm të telefonit të tij, si për komunikim me bashkëpunëtorët dhe miqtë, ashtu edhe për postime të shpeshta në platformën Truth Social.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se presidenti amerikan nuk do të përdorte telefonin personal gjatë gjithë qëndrimit në Kinë. Gjatë samitit me presidentin kinez Xi Jinping, aktiviteti në llogarinë e Trump në Truth Social ishte dukshëm i reduktuar. Sipas mediave amerikane, postimet publikoheshin nga Uashingtoni nga stafi i tij, i cili punonte sipas orarit të Pekinit për të mbështetur delegacionin nga distanca.
Megjithatë, Trump nuk ishte i vetmi që iu nënshtrua këtij “izolimi digjital”. Zyrtarët amerikanë përdorën të ashtuquajturit “burner phones”, telefona të thjeshtë dhe të përkohshëm që ofrojnë më shumë anonimitet dhe siguri. Ata gjithashtu përdorën adresa të përkohshme email-i për të mbrojtur informacionin sensitiv gjatë vizitës.
Pajisjet e përdorura kishin të çaktivizuara shumicën e aplikacioneve dhe funksioneve bazë, duke funksionuar si telefona “të pastër”, me shumë pak të dhëna të ruajtura, për të minimizuar dëmet në rast të ndonjë ndërhyrjeje kibernetike.
Prej vitesh, Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron qytetarët amerikanë që udhëtojnë në Kinë se nuk ekziston privatësi e garantuar në rrjetet telefonike apo elektronike kineze. Për këtë arsye, shumë udhëtarë zgjedhin të marrin me vete pajisje pa të dhëna personale.
Ndërkohë, pajisjet personale të stafit të Shtëpisë së Bardhë u ruajtën në bordin e avionit presidencial Air Force One brenda mbështjellëseve speciale që bllokojnë sinjalet GPS, Wi-Fi, Bluetooth dhe RFID, duke parandaluar çdo sulm të mundshëm në distancë.