Kush është kandidati për drejtimin e Kartelit të Jalisco-s pas vrasjes së El Mencho-s?

Bota

Kush është kandidati për drejtimin e Kartelit të Jalisco-s

Pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, gjatë fundjavës, karteli i Jalisco-s në Meksikë ka një udhëheqës të ri, Juan Carlos Valencia Gonzalez, 41-vjeçari i cili ka lindur në Kaliforni. Ai është djali i adoptuar i El Mencho-s dhe konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e perandorisë kriminale prej 20 miliardë dollarësh.

Juan Carlos, i njohur edhe si “El Pelón” ose “Tricky Tres”, ka shtetësi të dyfishtë amerikane dhe meksikane. Lidhjet e tij me drogën u zbuluan nga DEA në vitin 2020, e cila e ka akuzuar për prodhim dhe shpërndarje droge, përdorim të armëve zjarri dhe krime të dhunshme që nga viti 2007. Qeveria amerikane ofron 5 milionë dollarë shpërblim për informacion që çon në kapjen e tij.

Raportime të pakonfirmuara pas vrasjes së El Mencho-s sugjerojnë se Juan Carlos mund të jetë emëruar pasardhës i tij, megjithëse analistët vlerësojnë se ai ende nuk ka ndikimin e nevojshëm për të kontrolluar plotësisht kartelin. Ekspertët paralajmërojnë se riorganizimi i kartelit mund të shkaktojë një valë dhune të re në Meksikë, pasi të dielën u regjistruan përleshje dhe bllokime rrugore në qytete të mëdha si Guadalajara, duke shkaktuar kaos dhe duke paralizuar aktivitetin ekonomik.

Vrasja e El Mencho-s dhe pasojat e saj reflektojnë tensionin e vazhdueshëm mes kartelit dhe autoriteteve meksikane, ndërsa dhuna dhe destabilizimi vazhdojnë të prekin pjesë të mëdha të vendit.

ME TE LEXUARAT