Lufta në Lindjen e Mesme, Trump kritikon aleatët e NATO-s: Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër aleatët e NATO, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për mbështetjen e tyre në operacionet ushtarake kundër Iranit.
Në një postim të gjatë në platformën Truth Social, Trump tha se “shumica” e vendeve të NATO-s nuk dëshirojnë të përfshihen në operacionin ushtarak amerikan, duke shtuar se kjo nuk e ka befasuar.
“Gjithmonë e kam konsideruar NATO-n si një rrugë me një kah”, shkroi ai, duke nënvizuar pakënaqësinë e tij të hershme ndaj aleancës.
Trump deklaroi se, për shkak të “suksesit të madh ushtarak”, SHBA nuk ka më “nevojë” apo dëshirë për ndihmën e aleatëve, duke përfshirë jo vetëm vendet e NATO-s, por edhe partnerë si Japonia, Australia dhe Koreja e Jugut.
“Në fakt, duke folur si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm në botë deri tani, ne nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt”, theksoi ai.
Këto deklarata vijnë pasi Trump më herët kishte kërkuar ndihmën e aleatëve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për tregtinë globale të naftës, megjithëse kjo çështje nuk u përmend drejtpërdrejt në postimin e tij të fundit.
Qëndrimi i tij reflekton tensionet e vazhdueshme midis SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë lidhur me përfshirjen në konfliktin me Iranin.


