Berisha kërkon një tjetër mandat: Rikandidimi im për Kryetar nuk bie ndesh me statutin e PD

Më 23 maj, Partia Demokratike do të zgjedhë kryetarin dhe lideri historik, Sali Berisha, do të jetë sërish kandidat. Sali Berisha, i cili është ndër themeluesit e PD-së, ka drejtuar këtë forcë politike për 21 vite me radhë dhe sot, para gazetarëve, nuk hezitoi të konfirmojë se do të kërkojë një mandat të ri 4-vjeçar.
“A mund të më thuash pak, kush të tha ty që jo njëherë? Si e bën këtë pyetje? Kaq përgjigje.”
Me iniciativën e vet Berishës, në Kuvendin e 11 dhjetorit të vitit 2021, në statutin e Partisë Demokratike u vendos një pikë e cila garantonte largimin e kryetarit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Ky nen sanksionon: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.”
Po Sali Berisha sot deklaroi se rikandidimi i tij nuk e shkel statutin e PD-së.
“Neni flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale. Në qoftë se ka një realitet absolut të padiskutueshëm është: zgjedhjet ishin farsë elektorale. Pra, sa herë zgjedhjet humben kur ato janë normale, është detyrë e atij që udhëheq të largohet, të japë dorëheqjen. Farsa elektorale është tjetër, është detyrë të luftojë diktaturën, duhet të luftojë.”
Ndërsa PD ka nisur punën për ndryshimin e statutit, Berisha konfirmoi se neni për dorëheqjen e kryetarit të partisë nuk do të ndryshojë.
“Ai nen nuk ka pse të pësojë asnjë ndryshim.”
Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD-së në vitin 1991, pak muaj pas krijimit të forcës së parë opozitare në vend. Ai u largua nga drejtimi i PD-së nga viti 1992 deri në vitin 1997, kur mbante postin e Presidentit të Republikës. Sali Berisha u rizgjodh kryetar i PD-së në vitin 1997, post të cilin e mbajti deri në vitin 2013, kur në krye të PD-së erdhi Lulzim Basha.
Pas vendimit të zotit Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar në shtatorin e vitit 2021, Berisha nisi lëvizjen për rithemelimin e PD-së, duke shkarkuar Lulzim Bashën dhe në majin e vitit 2022 demokratët e votuan sërish si kryetarin e tyre.


