Mbi 70 tigra ngordhën në një park turistik në Tajlandë, ndërsa shkaku po hetohet

Tigrat e ngordhur i përkisnin një popullate prej mbi 240 kafshësh që strehoheshin në park. Mostrat e marra nga kafshët e ngordhura treguan praninë e virusit të sëmundjes Carré.
Autoritetet po hetojnë vdekjen e dhjetëra tigrave
në një park turistik të njohur në qytetin Chiang Mai, në Tajlandën veriore. Gjithsej 72 tigra ngordhën në më pak se dy javë këtë muaj në dy objekte në Tiger Kingdom Chiang Mai, një vend ku vizitorët mund të prekin dhe të bashkëveprojnë me macet e egra.
Departamenti lokal i mirëqenies së kafshëve njoftoi se mostrat e marra nga tigrat treguan praninë e virusit të murtajës së qenve (një nga sëmundjet më vdekjeprurëse virale për qentë), por burimi i shpërthimit nuk është konfirmuar ende.
Në një konferencë për shtyp të martën, zyrtarët deklaruan se transmetimi i virusit tani është ndalur dhe se nuk janë regjistruar vdekje të reja. Ata gjithashtu sqaruan se nuk është zbuluar asnjë infeksion njerëzor.
Kafshët e ngordhura janë varrosur, ndërsa, sipas autoriteteve, eutanazia është rekomanduar për tigrat e sëmurë rëndë.
Sipas mediave lokale, tigrat e ngordhur ishin midis më shumë se 240 kafshëve të strehuara në dy objektet e parkut.
Virusi i murtajës është shumë ngjitës dhe sulmon sistemin respirator, gastrointestinal dhe nervor të strehuesit. Edhe pse gjendet kryesisht te qentë, mund të infektojë edhe macet e mëdha.
Përveç virusit, Zyra e Blegtorisë së Kafshëve në Provincën Chiang Mai njoftoi javën e kaluar se mostrat e marra nga tigrat e ngordhur rezultuan gjithashtu pozitive për një bakter të lidhur me infeksionet e frymëmarrjes.
“Kur kuptuam se ishin të sëmurë, ishte tepër vonë”, tha drejtori i Departamentit Kombëtar të Blegtorisë për mediat lokale, duke vënë në dukje se identifikimi i sëmundjeve te tigrat është më i vështirë sesa te kafshët shtëpiake si macet ose qentë.
Të martën, autoritetet thanë se kishin mbledhur mostra nga trupat e tigrave, pula me të cilën ishin ushqyer dhe mjedisi përreth objektit. Testet fillestare zbuluan gjithashtu një infeksion të mundshëm nga parvovirusi i maceve. Sipas Bangkok Post disa zyrtarë vendas dyshonin se shpërthimi mund të ishte shkaktuar nga pula e gjallë e kontaminuar me të cilën u ishte dhënë kafshëve. Pula e gjallë ishte gjithashtu e përfshirë në një shpërthim serioz të gripit të shpendëve në një kopsht zoologjik tigrash në provincën Chonburi në vitin 2004, kur gati 150 tigra ngordhën ose u eutanizuan për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Agjencia e kontrollit të sëmundjeve njoftoi gjatë fundjavës se, megjithëse asnjë veteriner ose punonjës në objektin Chiang Mai nuk tregoi simptoma të virusit, ata u vunë nën vëzhgim për 21 ditë.
Grupet për të drejtat e kafshëve thonë se rasti nxjerr në pah kushtet e mjerueshme të jetesës së tigrave që përdoren për argëtim turistik në Tajlandë.
Fondacioni i Miqve të Jetës së Egër në Tajlandë tha në një deklaratë se vdekjet zbulojnë “vulnerabilitetin ekstrem të objekteve të jetës së egër ndaj sëmundjeve infektive”.Lajmi i Fundit


