Nafta “kapërcen” mbi 100 dollarë, sulmohen anijet cisterna në Gji, bllokadë në Ngushticën e Hormuzit

Tre anije tregtare janë përfshirë nga flakët në ujërat e Gjirit Persik. Dy prej tyre ishin cisterna pranë brigjeve të Irakut, ndërsa një anije kontejnerësh u sulmua pranë Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas raportimeve paraprake, mjetet detare u goditën nga anije iraniane që dyshohet se mbanin eksploziv. Si pasojë e sulmeve, një anëtar i ekuipazhit humbi jetën.
Pas incidenteve, autoritetet irakiane vendosën mbylljen e plotë të porteve të vendit, ndërsa ekuipazhet e evakuuara nga anijet janë tashmë të sigurt.
Situata ka tensionuar edhe më shumë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin Persik, ku qarkullimi i anijeve është pothuajse i paralizuar.
Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se çdo mjet detar që kalon përmes ngushticës mund të bëhet objektiv i sulmeve.
Përshkallëzimi i situatës ka reflektuar menjëherë edhe në tregjet globale të energjisë.
Çmimi i naftës ka kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa autoritetet iraniane paralajmërojnë se mund të arrijë deri në 200 dollarë.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, e cilësoi situatën si jashtëzakonisht kritike. Sipas tij, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka krijuar probleme serioze në furnizimin global me naftë dhe gaz.
Për të stabilizuar tregjet, agjencia ka nisur hedhjen në qarkullim të rreth 400 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike.


