Gara për drejtuesin e Policisë së Shtetit, publikohet lista zyrtare me 16 kandidatë, për herë të parë aplikojnë dhe 2 gra

Gara për karrigen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të lënë bosh prej dorëheqjes së Ilir Prodës, pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, ku u sulmua “Vila 31” në ish-Bllok, do të jetë mes 16 drejtuesve me eksperiencë të gjatë brenda bluve, mes të cilave edhe 2 gra, të cilët aspirojnë të drejtojnë një prej strukturave më komplekse të sigurisë në vend. Thirrja e hapur për 7 ditë me radhë, shfaqi interes në emra aktual drejtuesish në qarqe dhe pjesa tjetër që aktualisht shërbejnë ne Akademinë e Sigurisë.
Me një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, mbi supe me poste të rëndësishme, nga drejtues i Policisë së Tiranës, deri te Policia Kriminale, Tonin Vocaj shfaq ambicien për të zëvendësuar Ilir Prodën. Skënder Hita, së fundmi në krye të Policisë së Fierit, një ndër emrat me të spikatur të policisë në vitet e fundit, përfshirë edhe drejtimin e qarqeve Shkodër, Durrës apo Dibër bëhet për herë të dytë pjesë e garës. Drejtuesit dhe ish-drejtuesit e disa departamenteve në Policinë e Shtetit shfaqën interes për gradën madhore, mes të cilëve drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, kreu i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi dhe ish-drejtori i Kufirit, Saimir Boshnjaku.
Nga drejtimi aktual nëpër qarqe pjesë e garës janë edhe drejtorët e policisë së Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës, përkatësisht Elidon Çela, Afrim Tafa dhe Gentian Berberi, të tre me karrierë të konsoliduar brenda bluve. Nga kufiri interes për kryepolicin shfaq edhe Arjanit Arapi. Prej disa vitesh shërbejnë në Akademinë e Sigurisë, por me poste të rëndësishme në polici, aspirojnë drejtimin e policisë. Bëhet flajë për ish-drejtorët e Tiranës dhe jo vetëm, Rebani Jaupi dhe Lorenc Panganika, përfshirë edhe kandidaturat e Alfred Çepes, Idejet Faskajt dhe Gentjan Shehajt. Të vetmet gra, Suela Sulkaj dhe Ejona Gurbardhi, të cilat nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit, janë në mesin e 14 burrave dhe kërkojnë karrigen e strukturës së policisë.
Pas publikimit zyrtar të kandidaturave, një komision prej 3 personash, përbërë nga zv/ministrja e Brendshme Silva Caka, sekretarja e Përgjithshme i Ministrisë së Brendshme, Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, do të vlerësojnë në një afat prej 10 ditësh pune të gjitha dosjet e kandidatëve. Pas kësaj, në një ditë të vetme, të gjithë kandidatët do të intervistohen dhe pikëzohen në një renditje nga më i miri deri të me i dobëti. Brenda 48 orësh, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari do t’i përcjell një emër Këshillit të Ministrave për emërim. Jo domosdoshmërish i rendituri i pari bëhet drejtori i ri i Policisë së Shtetit. Ligji ka parashikuar mundësinë e emërimit të një tjetri, bazuar në vlerësimin e ministrit të Brendshëm.
Lista e plotë e kandidatëve
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Ejona Gurbardhi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hita
Suela Sulkaj
Tonin Vocaj/Shqiptarja


