Pas fjalimit në OKB, Trump nënshkruan marrëveshjen e sigurisë me Danimarkën dhe Groenlandën, zbardhen pikat kryesore

Pas fjalimit të tij në OKB, presidenti amerikan Donald Trump u takua me udhëheqësit e Danimarkës dhe Groenlandës për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme sigurie.
Trump e përshkroi marrëveshjen si një dokument “të punuar prej kohësh” dhe tha se ajo do të çojë në një “marrëdhënie afatgjatë dhe fantastike” mes tre palëve nënshkruese.
Edhe pse Groenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, Kopenhaga ka përgjegjësinë kryesore për çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes.
Deri tani, janë bërë të ditura pak detaje rreth marrëveshjes. Megjithatë, gjatë fjalimit të tij, Trump tha se SHBA-të do të ndërtojnë “dy baza shumë të mëdha ushtarake” në Groenlandë.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se marrëveshja e re adreson shqetësimet e sigurisë së SHBA-së lidhur me kundërshtarët e huaj që po fitojnë terren në ishull, duke respektuar njëkohësisht të drejtat dhe kompetencat e Danimarkës dhe Groenlandës.
Edhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, u shpreh optimist për marrëveshjen e re të sigurisë.
“Po nënshkruajmë një marrëveshje që e sjell marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951 në vitin 2026”, tha Nielsen. “Ne jemi, kemi qenë dhe do të mbetemi një mik i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe pjesë e Aleancës Perëndimore. Siguria juaj është siguria jonë dhe siguria jonë është siguria juaj. Kjo është një marrëveshje fitimprurëse për të dyja palët”, tha ai.


