Rusia paralajmëron ashpër SHBA-në: Sanksionet janë një gropë që mund t'ju gëlltisë...

Bota

Rusia paralajmëron ashpër SHBA-në: Sanksionet janë një

Vladimir Putin është i vendosur të vazhdojë luftën në Ukrainë, pavarësisht paralajmërimeve të ashpra nga Donald Trump për sanksione më të forta dhe ndihmë të shtuar ushtarake për Kievin.

Sipas burimeve të afërta me Kremlinin, presidenti rus beson se ekonomia e Rusisë është e përgatitur për të përballuar çdo “tarifë të rëndë” që mund të vendoset nga një administratë e re amerikane.

“Putini është i bindur se askush nuk ka hyrë realisht në negociata për paqen, përfshirë edhe SHBA-në, ndaj do të vazhdojë derisa të sigurojë objektivat që ka vendosur”, raportoi një burim për agjencinë Reuters.

Në të njëjtën linjë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska nuk ka dyshim për aftësinë e saj për të përballuar çdo paketë të re ndëshkimesh nga Perëndimi. Gjatë një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë, Lavrov u shpreh skeptik ndaj deklaratave të fundit të Trump, duke thënë: “Kemi dëgjuar për 24 orë, për 50 ditë, për 100 ditë... e kemi kaluar tashmë këtë fazë. Tani duam të shohim se çfarë realisht dëshiron Uashingtoni.”

Lavrov sugjeroi gjithashtu se SHBA po ndodhet nën presionin e fuqishëm të Bashkimit Europian dhe NATO-s për të ndjekur një linjë më agresive ndaj Moskës: “BE-ja po përgatit një tjetër kanal sanksionesh dhe synon ta tërheqë edhe SHBA-në në këtë rrjedhë. Por kemi një shprehje: ‘Mos i hap një gropë tjetrit, se mund të biesh vetë brenda”.

Qëndrimi i Putinit reflekton një strategji të ftohtë force: për aq kohë sa nuk ka kushte reale për dialog serioz, ai do të vijojë ofensivën në Ukrainë. Nga ana tjetër, Donald Trump, ka riforcuar diskursin e tij të fortë ndaj Moskës, duke kërcënuar me tarifa të ashpra ekonomike dhe shtim të ndihmës ushtarake për Kievin, në rast se konflikti nuk ndalet.

 

ME TE LEXUARAT