Shpella ku fshihej nëna me dy vajza prej 9 vitesh, zbulimi që habiti policinë

Bota

Shpella ku fshihej nëna me dy vajza prej 9 vitesh, zbulimi që habiti

Një grua ruse është zbuluar duke jetuar në një shpellë të izoluar në pyjet e Gokarna-s, në shtetin jugor indian të Karnataka-s, së bashku me dy vajzat e saj të mitura.

Nina Kutina, 40 vjeç, ishte vendosur në këtë zonë të rrezikshme prej kohësh, pa kontakt me shoqërinë, duke praktikuar një stil jete hermitik e të frymëzuar nga spiritualiteti hindu.

Ajo u zbulua më 9 korrik, rastësisht, nga një inspektor policie gjatë një patrullimi rutinë në zonat me rrezik shembjesh dhe rrëshqitjesh dherash – patrullime që bëhen zakonisht për të kontrolluar nëse ndonjë turist është bllokuar.

Polici vuri re një statujë të një hyjnie hinduiste që dilte nga një masiv bimësie. Më pas, mes gjelbërimit të dendur, zbuloi hyrjen e shpelles, e mbuluar me perde të improvizuara nga sari të kuq.

Brenda, Nina jetonte me vajzat e saj 4 dhe 6 vjeç, pa asnjë pajisje moderne. Ushqimin e gatuante me zjarr druri, meditonte dhe praktikohej në yoga, ndërsa e gjithë shpella ishte e mbuluar me fotografi dhe imazhe të hyjnive hinduiste.

Ngjarja është raportuar nga The New York Times, duke tërhequr vëmendje ndërkombëtare për mënyrën ekstreme të jetesës dhe për sigurinë e dy vajzave të mitura në një mjedis të pasigurt.

Autoritetet indiane janë ende duke hetuar çështjen dhe nuk kanë dhënë detaje mbi qëndrimin ligjor të shtetases ruse apo masat që mund të ndërmerren.

ME TE LEXUARAT