U shkarkua nga Putin, ish-ministri rus vret veten pak orë pas vendimit të presidentit

Bota

U shkarkua nga Putin, ish-ministri rus vret veten pak orë pas vendimit

Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, ndërroi jetë të hënën në atë që autoritetet ruse e konsiderojnë si vetëvrasje, vetëm pak orë pasi presidenti Vladimir Putin njoftoi shkarkimin e tij nga detyra.

Sipas dekretit zyrtar të publikuar në faqen e Kremlinit, Starovoit u shkarkua nga posti mëngjesin e së hënës, ndërsa zëvendësi i tij, Andrey Nikitin, u emërua si ministër i përkohshëm.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi për gazetarët se shkarkimi i Starovoit “nuk ishte për shkak të mungesës së besimit”, por nuk dha ndonjë arsye tjetër për largimin e tij. Trupi i pajetë i ish-ministrit u gjet brenda një makine me një plagë nga armë zjarri. Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi se po hetohet rasti, por pista kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes.

Përpara se të bëhej ministër, Starovoit shërbente si guvernator i rajonit jugor Kursk, një zonë kufitare me Ukrainën që ka qenë subjekt i sulmeve të përsëritura, ku ishte kritikuar për dështime në menaxhimin e sigurisë.

Ngjarja vjen në një moment trazirash të mëdha në sistemin e transportit ajror të Rusisë. Fundjava dhe e hëna u shënuan nga anulimi i 485 fluturimeve, devijimi i 88 të tjerave dhe vonesa të më shumë se 1,900 fluturimeve.

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT