Trump lë të hapur daljen nga NATO: Nëse nuk na ndihmojnë, do të shqyrtojmë largimin

Bota

Trump lë të hapur daljen nga NATO: Nëse nuk na ndihmojnë, do

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh me tone të larta lidhur me luftën me Iran, gjatë deklaratave të tij në Zyrën Ovale, ku hapi sesionin e pyetjeve për gazetarët.

Presidenti amerikan përsëriti vijën e ashpër që kishte mbajtur më herët përmes platformës Truth Social, duke theksuar se SHBA nuk ka nevojë për mbështetjen e aleatëve të saj, ndërsa la sërish të hapur mundësinë e tërheqjes nga NATO.

“Ne nuk kemi nevojë për asnjë ndihmë. Mendoj se NATO po bën një gabim shumë të marrë. Gjithmonë kam pyetur veten nëse NATO do të ishte aty për ne. Ky është një test i madh, sepse ne nuk kemi nevojë për ta. Ata duhej të ishin aty”, deklaroi ai, duke kritikuar njëkohësisht ashpër NATO-n, të cilën e akuzoi për zgjedhje të gabuara.

I pyetur nëse do të rishqyrtonte pjesëmarrjen e vendit të tij në Aleancë, ai la gjithçka të hapur: “Jam i zhgënjyer. Kemi shpenzuar triliona dollarë ndër vite dhe kemi marrë… deficite në ekonominë tonë. Nëse nuk na ndihmojnë, do ta mendojmë (tërheqjen). Është diçka që do ta vendos vetë, punoj me njerëz të zgjuar dhe nuk kam nevojë për miratimin e Kongresit. Kur thua ta rishqyrtojmë… nuk kam diçka konkrete tani, por nuk jam i entuziazmuar. Kur mendoj për Ukrainën, pa ne ajo do të kishte rënë brenda një dite. Ne kemi ofruar pajisjet më të mira në botë, qindra miliarda dollarë”.

Trump hodhi poshtë edhe paralajmërimet nga pala iraniane, sipas të cilave prania e trupave amerikane në terren mund të çonte në një “Vietnam” të ri.

I pyetur nëse shqetësohej për një skenar të tillë, ai ishte kategorik: “Jo, nuk kam frikë, në fakt nuk kam frikë nga asgjë”.

Presidenti amerikan u ndal edhe te marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar dhe kryeministrin Keir Starmer, duke përsëritur kritikat e tij. Sipas tij, Uashingtoni ka “një marrëdhënie të shkëlqyer dhe afatgjatë me Mbretërinë e Bashkuar”, e cila “duhej të ishte më e mira”. Megjithatë, shtoi se ka qenë gjithmonë më e mira derisa u shfaq Keir.

Pavarësisht kritikave, Trump u përpoq të mbante një ton më të butë në nivel personal, duke thënë se “e pëlqen” dhe se “është një njeri i mirë, me një familje të bukur, gjithçka perfekte”. Megjithatë, më pas u rikthye me akuza konkrete, duke zbuluar se kishte kërkuar ndihmë të kufizuar ushtarake nga kryeministri britanik.

“I thashë: ‘Nuk ke nevojë të më dërgosh aeroplanmbajtëse, më dërgo disa anije çminuese, nuk kemi nevojë për aeroplanmbajtëset tuaja’”, tha ai, duke pretenduar se përgjigjja britanike erdhi me vonesë.

“Edhe aeroplanmbajtëset do t’i dërgonte vetëm pasi në thelb kishim fituar. I dërgon kur nuk kanë mbetur avionë, kur raketat kanë rënë në 8%”, theksoi ai.

ME TE LEXUARAT