Arrestohen katër persona në Kosovë, dyshohen për mashtrim në vlerë prej mbi 1.5 milion eurosh

Kosovë&Rajon

Arrestohen katër persona në Kosovë, dyshohen për mashtrim

Katër persona janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të mashtrimit, njoftoi Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, pas ndalimit prej 48 orësh, gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e paraburgimit prej një muaji.

M.M., S.B., D.R., dhe B.Z. dyshohet se i kanë shkaktuar dëm material palës së dëmtuar, H.M. në vlerë prej mbi 1.5 milion eurosh, për shkak të shitjes së një prone me dokumente të falsifikuara.

Sipas Prokurorisë, dy nga të arrestuarit dyshohen edhe për vepra të tjera penale, përkatësisht M.M. për falsifikim të dokumenteve dhe D.R. për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë.

“Sipas dyshimeve të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 1.578.180,00 euro”, u tha në njoftim.

Prokuroria tha se ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi dyshohet se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu është kërkuar nga gjykata që të lëshojë urdhër ndalues për këto parcela deri në përfundim të procesit penale.

Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, për veprën penale mashtrimi, parashihet dënim nga tre deri në dhjetë vjet burgim, varësisht nga rrethanat e veprës dhe vlerës së dëmit. Ndërkaq, për falsifikim të një dokumenti zyrtar apo publik parashihen dënime me gjobë dhe me burgim deri në tetë vjet, po aq sa për veprën e legalizimit të përmbajtjes së rreme./REL

ME TE LEXUARAT