I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi “mësyn” pa lajmëruar, takim me Kurtin në zyrë, zbulohet arsyeja

Kosovë&Rajon

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, u takua të premten në Prishtinë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në një vizitë të paparalajmëruar.

Mes temave të diskutuara ishte edhe çështja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë, të cilët po kërkojnë rikthimin në punë.

Në një njoftim për media, zyra e Kurtit tha se ai u pyet nga Sorensen për kthimin e dhjetëra gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në punë, të cilët kishin dhënë dorëheqje më 2022.

BE-ja ka kërkuar që çështja e ri-integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut mes dy vendeve fqinje.

Në takimin me zyrtarin e lartë të BE-së, Kurti e përsëriti se është i hapur për përfshirjen e serbëve në gjyqësor dhe prokurori, por jo për rikthimin e tyre automatikë në punë, duke ngulur këmbë se çdo vendim të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

I dërguari i bllokut evropian erdhi në Prishtinë në ditën kur si Kurti, ashtu edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e shtynë Këshillin Gjyqësor (KGJK) të vendit të bëjë kërkesë për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë, pavarësisht thirrjeve nga BE-ja për të mos i bërë trysni institucionit të pavarur të gjyqësorit.

Një mbledhje e Këshillin Gjyqësor të premten, ku pritej të shqyrtohej edhe çështja e gjyqtarëve të dorëhequr serbë, dështoi për shkak të kuorumit.

ME TE LEXUARAT