Maksimumi 50 litra në ditë, Sllovenia kufizon furnizimin me naftë për qytetarët dhe angazhon ushtrinë

Kosovë&Rajon

Maksimumi 50 litra në ditë, Sllovenia kufizon furnizimin me naftë

Teksa çmimet e karburanteve vijojnë të rëndojnë xhepat e qytetarëve në rajon, Sllovenia ka ndërmarrë masa drastike për të përballuar mungesat e naftës.

Qeveria ka vendosur kufizime të menjëhershme në pikat e karburantit: çdo qytetar mund të furnizohet me maksimumi 50 litra në ditë, ndërsa bizneset deri në 200 litra.

Masat do të qëndrojnë në fuqi deri në një njoftim të dytë.

Situata është konsideruar serioze, aq sa autoritetet kanë angazhuar edhe ushtrinë për të ndihmuar në shpërndarjen e karburantit, duke mbështetur transportin dhe furnizimin në të gjithë vendin.

Ndërkohë, qeveria u ka kërkuar kompanive të karburanteve të rrisin koordinimin për të përshpejtuar furnizimin dhe për të shmangur boshllëqet në treg.

Operatorët janë detyruar të raportojnë vazhdimisht gjendjen në pikat e shitjes, ndërsa nuk përjashtohen masa të tjera në ditët në vijim.

Kryeministri Robert Golob ka paralajmëruar se po shqyrtohet edhe kufizimi i shitjes së karburantit për shtetasit e huaj.

Mungesat janë ndjerë më fort te kompania Petrol, e cila është vënë nën kritika nga qeveria, ndërsa vetë kompania thotë se po punon për të garantuar furnizim të qëndrueshëm./ORA

ME TE LEXUARAT