Sllovakia kërcënon BE-në me veto: Pa rikthimin e ‘Druzhba’, bllokohet paketa e 20-të e sanksioneve ndaj Rusisë

Sllovakia ka paralajmëruar se mund të bllokojë paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, nëse nuk sigurohet furnizimi me naftë përmes naftësjellësit Druzhba pipeline.
Ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanár, ka bërë të qartë se vendi nuk do të japë miratimin për paketën e 20-të të sanksioneve nëse tubacioni nuk rikthehet në funksion.
Ky naftësjellës është dëmtuar pas sulmeve në Ukrainë në fund të janarit dhe është burim kryesor furnizimi për Sllovakinë dhe Hungarinë.
Sllovakia dhe Hungaria mbeten ndër vendet më të varura nga nafta që vjen nga ky rrjet, ndaj çdo ndërprerje ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e tyre. Për këtë arsye, Bratislava po e përdor këtë çështje si presion ndaj Kievit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian për të përshpejtuar riparimet.
Në të njëjtën linjë, kryeministri sllovak Robert Fico dhe ai hungarez Viktor Orbán kanë kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për situatën e krijuar rreth naftësjellësit.
Megjithatë, autoritetet sllovake bëjnë të ditur se kjo përplasje nuk do të ndikojë në mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian i jep Ukrainës.
Naftësjellësi “Druzhba”, një nga më të vjetrit në Europë, mbetet një arterie kryesore energjetike për vendet e Europës Qendrore dhe një element kyç në debatet aktuale për sigurinë energjetike.


