Tronditet Podgorica/ Vriten tre persona mes tyre dy vëllezërit shqiptarë! Autori në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur Podgoricë, ku tre persona kanë humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur në një lagje të zonës së njohur si Aeroporti i Vjetër.
Sipas mediave vendase, mes viktimave janë identifikuar dy vëllezër nga Rozhajë, Denis Hoti (28) dhe Nezrin Hoti (27). Të tre viktimat janë burra të rritur dhe, sipas policisë, nuk ka indicie që ngjarja të lidhet me përplasje mes grupeve kriminale.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim një tjetër shtetas nga Rozhaja, Vehid Murić, i cili dyshohet se ka kryer krimin gjatë natës në një apartament me qira. Sipas hetimeve paraprake, ai ka vrarë tre persona me të cilët punonte në një kantier ndërtimi dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Policia bën me dije se ngjarjes i kanë paraprirë mosmarrëveshje personale mes viktimave dhe të dyshuarit, ndërsa të gjithë personat janë me origjinë nga Rozhaja.
Dyshohet se krimi është kryer me armë të ftohtë, ndërkohë që pas ngjarjes autori mendohet të jetë kthyer në qytetin e tij të lindjes. Atje, sipas burimeve, ai ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në banesën familjare.


