“731 milionë litra naftë të ri-eksportuara nga Shqipëria drejt Kosovës”, Braçe: Janë të përfshirë zyrtarë nga të dyja vendet

Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi në Kuvend se rieksporti i naftës nga Shqipëria drejt Kosovës mbetet një shqetësim serioz, për të cilin tha se ka ngritur vazhdimisht alarmin.
Duke iu përgjigjur akuzave të kreut të opozitës Sali Berisha, Braçe mohoi pretendimet se mbron interesat e tregtarëve të karburanteve.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 janë rieksportuar rreth 731 milionë litra naftë drejt Kosovës, ndërsa ngriti dyshime se një pjesë e kësaj sasie nuk përfundon në Kosovë, por tregtohet brenda territorit shqiptar.
Ai tha se rreth një e treta e këtij rieksporti realizohet vetëm nga një kompani.
Braçe akuzoi gjithashtu zyrtarë në të dy vendet për përfshirje në atë që e cilësoi si një skemë kontrabande.
“Kam dyshime të forta që kjo naftë nuk shkon në Kosovë, por tregtohet brenda vendit. Është një histori e turpshme kontrabande mes dy vendeve”, deklaroi ai.
Sipas deputetit socialist, kontrabanda ndikon drejtpërdrejt edhe në mbajtjen e çmimeve të larta të karburanteve në treg.
Ai kërkoi ndërhyrjen e institucioneve fiskale për të hetuar dhe ndalur këtë fenomen.


