Berisha publikon deklaratën e Sekretares së Përgjithshme të PPE: Shqipëria në regres demokratik!”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë në rrjetet sociale deklaratën e Sekretares së Përgjithshme të Partia Popullore Europiane, Dolors Montserrat, lidhur me konkluzionet e Misionit Faktmbledhës të PPE në Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Ju ftoj të ndiqni postimin në Instagram të znj. Dolors Montserrat mbi konkluzionet e misionit në Shqipëri dhe Mal të Zi”, shkruan Berisha, duke e cilësuar mesazhin si të rëndësishëm për situatën politike në vend.
Në deklaratën e saj, Montserrat thekson se Shqipëria dhe Mali i Zi përballen me një sfidë të përbashkët: mbrojtjen e demokracisë në rrugën drejt integrimit europian.
“Ne përfunduam misionin tonë në Podgoricë dhe Tiranë dhe mesazhi nga Partia Popullore Europiane është i qartë: ne qëndrojmë përkrah tyre në rrugën drejt Bashkimit Europian. Por jo me çdo kusht”, shprehet ajo.
Sipas Montserrat, Shqipëria po përjeton regres demokratik, rritje të krimit të organizuar dhe fenomene të kapjes së shtetit. Ajo përmend mungesën e pavarësisë së gjyqësorit, dobësimin e shtetit të së drejtës dhe problemet me lirinë e medias si shqetësime kryesore të evidentuara gjatë misionit.


