PD mbledh Kryesinë, protestë pas dy javësh! Berisha: Nuk marrim pushtet me dhunë

Politikë

PD mbledh Kryesinë, protestë pas dy javësh! Berisha: Nuk marrim

Partia Demokratike do të protestojë sërish pas 2 javësh para zyrës së kryeministrit Rama, vetëm dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë çështjen Balluku. Sali Berisha nuk ka vendosur ende nëse protesta do të jetë e qëndrueshme siç ka premtuar, por në betejë ftoi edhe faktorët e tjerë opozitarë, të cilët deri më tani ia kanë mbyllur derën e bashkëpunimit.

Pasi përmbyllën pushimet e fund-vitit, demokratët do të zbresin sërish në shesh. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, anëtarët e kryesisë blu nuk ia dolën të vendosnin nëse mesdita apo mbrëmja është koha e duhur për të protestuar poshtë zyrës së Edi Ramës.

Madje, as nëse do të qëndrojnë aty apo pas xhiros disa orëshe në Bulevard do të kthehen në shtëpi.

Por, qëllimi thonë se mbetet i njëjtë.

“Dorëheqje, dorëheqje Njerëzit i sjell këtu revolta e brendshme shpirtërore, urrejtja e pakufishme që kanë për Lubi Babukun, Edi Ramën”, tha Berisha.

Në krah, me gjasë sërish nuk do të ketë askënd tjetër veç të vetëve. Lapaj, Shehaj e Arlind Qorri kanë refuzuar t’i bashkohen në betejë, por dorën Sali Berisha ia shtriu sërish:

“Në qoftë se janë të vendosur të ose duan të luftojnë të keqen Rama, vendin e kanë të hapur. Pastaj vendimet i marrin vetë”, tha Berisha.

Sa herë rikthehet në bulevard për të protestuar kundër Edi Ramës, Berishës i sillet në vëmendje 21 janari i 2011, kur protestuesit e opozitës së asokohe, Partisë Socialiste u vranë në bulevard me armët e shtetit. Pyetjes nëse do të përsërisë të njëjtët skenarë, Berisha iu përgjigj duke thënë se nuk marrin pushtet me dhunë.

“21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Ramës. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990”, vijoi Berisha.  

Protesta e fundit që PD mbajti ishte ajo e 22 dhjetorit, me një pjesëmarrje të ulët të qytetarëve/Shqiptarja

ME TE LEXUARAT