“Ramazani dhe Krishtlindjet ‘takohen’ në 2030”, Rama: Uroj të jetë mandati i fundit jashtë shtëpisë së Europës!

Kryeministri Edi Rama nga Pallati i Kongreseve tha se iftari është një moment mirësie dhe bashkimi, ku besimi nuk duhet të ndajë njerëzit, por t’i afrojë ata. Kryeministri theksoi gjithashtu se shpreson që mandati i tij i katërt të jetë i fundit i një kryeministri shqiptar jashtë “shtëpisë së Europe”, duke nënvizuar synimin për integrimin evropian.
“Iftari është një praktikë mirësie dhe ndrojtjeje, ku ndëshkimi dhe zemërata mbeten jashtë dere dhe përkujdesja vjen shumë afër gjithsecilit. Uroj t’ju pranohet agjërimi, t’i dëgjohen dhe pëlqehen lutjet çdo agjëruesi dhe çdo kujt të ftuar i uroj që të ketë gjithçka meriton.
Ky është iftari i parë në këtë mandat të katërt, ndërkohë që ky mandat dua të jetë i fundit i një kryeministri jashtë shtëpisë së Europës. Dua ta mbyll me një detaj: për herë të parë në tri dekada, Ramazani dhe Krishtlindja do të takohen në vitin 2030.
Duke e ulur siparin e fjalës sime, dua të shpreh një mirënjohje për myslimanët shqiptarë për atë që janë dhe, duke i uruar të kenë çdo të mirë për të cilën luten. Dua të jenë shembëlltyra e të vërtetës së madhe ku besimi nuk është vijë që ndan, por bashkon; ku Islami, njësoj si krishterimi, e thërret Europën në krye të sofrës.” / abcnews


