“Smart City”, Tabaku: Rama po përdor tragjedinë e Martin Canit për të justifikuar një projekt korruptiv

Politikë

“Smart City”, Tabaku: Rama po përdor tragjedinë e Martin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj një postimi të Kryeministrit Edi Rama për projektin “Smart City”, duke e akuzuar se po përdor tragjedinë e Martin Canit për të justifikuar një projekt që, sipas saj, po realizohet pa tender, pa transparencë dhe me një kosto mbi dyfishin e vlerës reale.

“Të përdorësh një tragjedi për të justifikuar një vendimmarrje korruptive është një tragjedi e një lloji tjetër”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.

Deputetja demokrate deklaron se Kryeministri po e shndërron tragjedinë e Martin Canit në një alibi politike për projektin “Smart City”, ndërkohë që, sipas saj, qeveria nuk pati guximin as të trokiste në derën e familjes së të miturit.

Tabaku shton se familjes i janë mbyllur veshët edhe për kërkesën për ngritjen e një përkujtimoreje për Martinin, vetëm sepse ajo ka zgjedhur të kërkojë drejtësi dhe jo kompromis.

“Po përdor dhimbjen e një familjeje, së cilës qeveria nuk pati guximin as t’i trokiste një herë të vetme në derë. Të njëjtës familje i mbyllen veshët kur kërkon një përkujtimore për djalin e saj, vetëm sepse ka qëndruar me dinjitet dhe ka kërkuar drejtësi, jo kompromis”, shprehet ajo.

Sipas Tabakut, tragjedia dhe dhimbja e familjes nuk mund të përdoren për të mbuluar pikëpyetjet që shoqërojnë projektin “Smart City”. Ajo pretendon se projekti po kushton më shumë se dyfishi i vlerës reale, po realizohet pa tender dhe pa transparencë, ndërsa përfshin edhe nënkontraktorë të dyshimtë.

“Ky cinizëm duhet të marrë fund, aq më tepër kur shërben si mburojë për të fshehur korrupsionin”, thekson deputetja e PD-së.

Tabaku kundërshton gjithashtu përdorimin e tragjedisë si argument për vendosjen e kamerave brenda shkollave. Sipas saj, një vendimmarrje e tillë duhet të kalojë përmes përfaqësimit real të prindërve në bordet e shkollave dhe nuk mund t’u lihet strukturave të kontrolluara nga qeveria.

“Janë prindërit, përmes përfaqësimit të tyre real në bordet e shkollave, ata që duhet të vendosin nëse duan kamera brenda mjediseve shkollore”, deklaron Tabaku.

Në përfundim, deputetja demokrate i kërkon Kryeministrit dhe qeverisë të mos e përdorin më emrin e Martin Canit dhe dhimbjen e familjes së tij për të justifikuar projektin.

“Politika duhet të ketë një kufi. Lëreni të qetë Martinin dhe familjen e tij! Mos përdorni emrin dhe dhimbjen e tyre si mbulesë për zullumet tuaja!”, përfundon Tabaku.

REAGIMI I PLOTE:

Të përdorësh një tragjedi për të justifikuar një vendimmarrje korruptive është një tragjedi e një lloji tjetër.

Prej disa kohësh, Kryeministri po përdor tragjedinë e Martin Canit si alibi për projektin “Smart City”.

Po përdor dhimbjen e një familjeje, së cilës qeveria nuk pati guximin as t’i trokiste një herë të vetme në derë. Të njëjtës familje i mbyllen veshët kur kërkon një përkujtimore për djalin e saj, vetëm sepse ka qëndruar me dinjitet dhe ka kërkuar drejtësi, jo kompromis.

Ky cinizëm duhet të marrë fund, aq më tepër kur shërben si mburojë për të fshehur korrupsionin.

Tragjedia dhe dhimbja e familjes nuk mund të përdoren për të justifikuar një projekt që sot kushton më shumë se dyfishi i vlerës reale, që realizohet pa tender e pa transparencë dhe përfshin nënkontraktorë të dyshimtë.

Tragjedia e Martinit nuk mund të shndërrohet në alibi. As cinizmi i Kryeministrit nuk mund të përdoret si justifikim për vendosjen e kamerave brenda shkollave.

Janë prindërit, përmes përfaqësimit të tyre real në bordet e shkollave, ata që duhet të vendosin nëse duan kamera brenda mjediseve shkollore dhe jo nga bordet korrupsionit të qeverisë.

Fëmijët shqiptarë duhen mbrojtur si nga tragjedi të tilla, ashtu edhe nga cinizmi i një qeverie që kërkon të përdorë edhe dhimbjen për të mbuluar zullumet e veta.

Politika duhet të ketë një kufi.

Lëreni të qetë Martinin dhe familjen e tij! Mos përdorni emrin dhe dhimbjen e tyre si mbulesë për zullumet tuaja!

 

ME TE LEXUARAT