Neada Muçaj thyen heshtjen: “Nuk pati sherr me Enxhi Nasufin, u ekzagjerua për zhurmë”

Neada Muçaj ka reaguar për herë të parë për largimin e saj nga Top Channel, duke sqaruar prapaskenat e situatës që u shoqërua me aludime për konflikt me Enxhi Nasufi në emisionin Wake Up.
E ftuar në X-Press, moderatorja u shpreh se mënyra si ndodhi largimi i saj nuk ishte e drejtë dhe se shumë gjëra nuk janë sqaruar publikisht.
Ajo theksoi se nuk ka pasur asnjë përplasje fizike, duke i cilësuar lajmet si të pavërteta dhe të ekzagjeruara për efekt mediatik.
Sipas Muçajt, situata u fry qëllimisht për të krijuar zhurmë dhe për ta përfshirë në një format shumë të ndjekur televiziv, duke lënë të kuptohet se bëhej fjalë për Big Brother VIP Albania. “Nuk jam natyrë konfliktuale dhe u gjenda në një situatë që nuk e kisha zgjedhur vetë”, u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo pranoi se kishte pasur vetëm një moment të vogël tensioni gjatë një pauze publicitare, por asgjë që të justifikonte zhurmën që u krijua.
Deklaratat e saj vijnë pas një periudhe me shumë spekulime në media për një përplasje fizike, të cilat janë mohuar edhe më herët nga vetë stafi i emisionit, ndërsa edhe Enxhi Nasufi i ka cilësuar këto lajme si të pavërteta.


