“Paguhem në Iran, por nuk marr dot rrogën”, rrëfehet Jasir Asani: U zhgënjeva në Botëror, futbolli i padrejtë

Eliminimi nga faza play-off i Botërorit 2026 la pas emocione dhe reflektime. Jasir Asani, që këtë herë e ndoqi dramën nga tribunat, rrëfeu për Top Channel momentin ku Kombëtarja u ndal nga detajet:
“Ne patëm rastet tona për gol, por në futboll, po nuk shënove, e pësove. Bajrami bëri gjithçka mirë, por ndonjëherë nuk shkon topi në portë,” tha ai.
Edhe pse nuk luajti, Asani vlerësoi punën e trajnerit Sylvinhos dhe unitetin e skuadrës: “Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme, meritën e ka trajneri dhe grupi.”
Situata e tij personale komplikohet nga klubi Esteghlal në Iran, ku mungesa e internetit dhe lufta e pengojnë komunikimin dhe marrjen e rrogës: “Rroga vazhdon, por është problem sepse nuk funksionon asgjë atje.”
Në Shqipëri, stërvitja me Partizanin i jep Asanit stabilitet dhe ndjesinë e familjes: “Stërvitja këtu nuk është vetëm formë, por edhe një nevojë shpirtërore. Ishalla Partizani del kampion, por ndeshjet duhet t’i marrësh një nga një.”
Për Asanin, kjo pranverë nuk ngjan me asnjë tjetër: humbja në Varshavë dhe pasiguria e kontratës në Iran e bëjnë të reflektojë, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e hapur.


