Një këngë që sfidon heshtjen, Ermal Meta në Sanremo: Fjalët Gaza e Palestinë s’janë blasfemi

Në një konferencë për shtyp, Ermal Meta ka shpjeguar mesazhin pas këngës “Stella stellina” me të cilën garon në Sanremo. Kënga, e cila u dedikohet fëmijëve në Gaza, është ndërtuar në një formë të qëllimshme, shprehet Meta.
Muzika të tërheq edhe të kërcesh, por është teksti ai që të ndalon të mendosh për një çast. Artisti thotë se sot ka një problem shumë të madh me heshtjen. Ai e quan një heshtje të imponuar dhe se fjalët Gaza e Palestinë nuk thuhen si të ishin blasfemi, kur nuk janë të tilla.
“Heshtja është problemi i madh i së tashmes. Kjo këngë, ndoshta e keni vënë re, mbart me vete një paradoks, paradoksin në të cilin jetojmë sot. Nëse nuk e dëgjon tekstin, të vjen edhe për të kërcyer, por nuk është rastësi, është bërë enkas kështu; pastaj dëgjon tekstin dhe ajo që po dëgjon të ndalon për një çast. E dëgjon me vëmendje dhe ndalesh pak, pastaj e harron dhe rifillon të kërcesh. I ngjan pak ‘scrolling’ të realitetit tonë, asaj që bëjmë çdo ditë. Sot të rriturit bëjnë shumë më tepër zhurmë se fëmijët dhe kjo është gjëja që mua më duket shqetësuese. Mbi të gjitha është një heshtje që ia imponojmë vetes; disa gjëra nuk mund të thuhen, nuk mund të thuhet Gaza, nuk mund të thuhet Palestinë, sikur të ishte një blasfemi. Fakti që nuk mund të thuhen është blasfemi; blasfemia nuk është kjo, blasfemi është krejt tjetër gjë, është fakti që ato fshihen”, tha Meta.
Në natën e dytë të Sanremos, kur edhe u prezantua, “Stella stellina” u rendit në pesëshen më të mirë. Adriano Celentano i ka shprehur mbështetjen këngëtarit shqiptar duke e vlerësuar këngën si fituese.


