Hetim për ilaçin nilotinib/ Prokuroria sekuestron dokumente dhe mostra të barit antitumoral importuar nga MegaPharma

Soft

Hetim për ilaçin nilotinib/ Prokuroria sekuestron dokumente dhe

Një hetim penal për shpërdorim detyre ka nisur në lidhje me regjistrimin e medikamentit antitumorial Nilotinib Pharmascience nga Agjencia Kombëtare e Barnave, e cila nuk mori në konsideratë Agjencinë Europiane të Barnave që hedh dyshime mbi pasigurinë e ilaçit, por as vetë analizat laboratorike në fazën fillestare të cilat rezultuan problematike pas aplikimit nga distributori shqiptar Megapharma dhe u ripërsëritën, raporton TopChannel.

Sipas medias, në fillim të vitit 2026 ka nisur procedimi penal dhe më datë 02 shkurt, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë vendim për sekuestrimin e dokumenteve dhe mostrave të barit Nilotinib 150 mg dhe 200 mg, për mënyrën e regjistrimit. Ky është vendimi i prokurorëve Ndini Tavani dhe Arben Agovi, të cilët pasi shqyrtuan aktet konstatuan nevojën e sekuestrimit të praktikës që lidhet me aplikantin MegaPharma.

Në cilësinë e provave materiale është mbajtur procesverbali “për sekuestrimin e sendeve” më 3 shkurt, që janë administruara në qese me kod unik dhe te mbyllura, të lëna në ruajtje në “Dhomën e Ruajtjes së Mostrave” në Laboratorin e Kontrollit, konkretisht bëhet fjalë për dy doza të këtij ilaçi me 4 tip mostrash: “Nilotinib Pharmascience, kapsulë 150mg të dy loteve, dhe kapsulën 200 mg të dy loteve të tjera”.

Gjithashtu në po të njëjtën ditë, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar të gjitha dokumentet origjinale, nga momenti i aplikimit deri në miratimin e autorizimit nga Ministria e Shëndetësisë, të përshkruara në këtë procesverbal të siguruar nga Top Channel.

Procedura për autorizim për tregtim të barit ”NiIotinib Pharmascience” ka ngritur shqetësime të shumta te pacientët të cilët ankohen për përdorimin e barnave të pasigurt.  Fakti që ky ilaç nuk përmbushte kriteret e disolucionit nga aplikantët, nxori në pah një problematikë tjetër se si Agjencia e Barnave lejoi ribërjen e analizave për kompaninë Megapharma, edhe ndërpreu procedurën për kompaninë Zentiva.

I njëjti ilaç për të cilin aplikohet nga dy operatorë të ndryshëm, mbahen dy qëndrime në mospërputhje me njëra tjetrën. Pikëpyetjet pritet të marrin përgjigje në përfundim të hetimit penal./TopChannel

ME TE LEXUARAT