Martesa, si lidhet ajo me kancerin? Studimi amerikan zbulon “të pathënat” e sëmundjes, të mos pasurit një partner ...

Një studim i gjerë i zhvilluar në SHBA sugjeron se statusi martesor mund të lidhet me incidencën e kancerit, duke nxjerrë në pah rolin e faktorëve socialë dhe të sjelljes në shëndet.
Në diskutimet mbi kancerin, zakonisht theksi vihet te faktorë si duhani, dieta, aktiviteti fizik, trashëgimia apo qasja në kontrolle mjekësore. Megjithatë, një studim i botuar në Cancer Research Communications tregon se edhe fakti nëse një person është i martuar apo jo mund të lidhet me rrezikun e sëmundjes.
Sipas studiuesve nga Universiteti Kombëtar i Athinës, analiza përfshiu të dhëna nga 12 shtete amerikane për periudhën 2015–2022, duke u fokusuar te personat mbi 30 vjeç. Në studim u analizuan mbi 4.2 milionë raste kanceri dhe më shumë se 500 milionë vite ndjekjeje.
Rezultatet treguan se personat që nuk ishin martuar kurrë kishin incidencë më të lartë të kancerit në shumicën e kategorive. Tek burrat, incidenca ishte rreth 68% më e lartë krahasuar me ata që kishin qenë të martuar në një moment të jetës, ndërsa tek gratë rreth 85% më e lartë. Ky model u vërejt në grupe të ndryshme racore, në shumë lloje kanceri dhe në grupmosha të ndryshme, duke u bërë më i theksuar me kalimin e moshës.
Dallime të mëdha u evidentuan në disa lloje specifike të kancerit. Tek burrat, rritja më e madhe u vu re te kanceri anal, ndërsa tek gratë te kanceri i qafës së mitrës. Ndryshime u konstatuan edhe në kanceret që lidhen me infeksionet, duhanin dhe konsumimin e alkoolit. Në të kundërt, diferencat ishin më të vogla për kanceret e tiroides, prostatës dhe, në një masë më të kufizuar, të gjirit.
Studiuesit theksojnë se martesa nuk “mbron” drejtpërdrejt nga kanceri, por mund të pasqyrojë një sërë faktorësh mbështetës, si stabiliteti i jetës së përditshme, mbështetja emocionale, siguria ekonomike dhe kontakti më i shpeshtë me shërbimet shëndetësore. Një partner shpesh inkurajon kontrollet parandaluese dhe ndërhyrjen e hershme mjekësore.
Studimi evidenton gjithashtu pabarazi të rëndësishme mes grupeve të ndryshme të popullsisë, duke treguar se statusi martesor lidhet ngushtë me faktorë më të gjerë socialë, si varfëria, përjashtimi dhe qasja në burime.
Megjithatë, autorët theksojnë kufizimet e analizës: statusi martesor nuk pasqyron cilësinë e marrëdhënieve, bashkëjetesën apo mbështetjen reale emocionale. Për këtë arsye, përfundimi kryesor nuk është se martesa ul rrezikun për kancer, por se faktorët socialë dhe të sjelljes luajnë një rol të rëndësishëm në shëndet.
Mesazhi kryesor është se shëndeti nuk ndikohet vetëm nga faktorët biologjikë, por edhe nga kushtet shoqërore dhe mënyra e jetesës.


