"Kundër një armiku të egër..."/ Një ditë pas protestës, Berisha kërkon "ndihmë" nga aleatët: Të bashkohemi...

Politikë

"Kundër një armiku të egër..."/ Një ditë

Një ditë pas protestës së shtatë kombëtare të opozitës, kreu i PD, Sali Berisha, i bëri thirrje partive të tjera opozitare që të bashkohen me Partinë Demokratike. Berisha u bëri thirrje edhe pensionistëve, intelektualëve dhe shoqërisë civile që t’i bashkohen aksionit të opozitës.

“Nga protesta s’heqim dorë kurrë. Ne do bëjmë gjithçka për t’u bashkuar me forcat politike opozitare. U bëj thirrje, është koha të veprojmë së bashku kundër një armiku të egër të qenies shqiptare. I bëj thirrje shoqërisë civile që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës, të bashkohet me ne. Shikoni çfarë qëndrimi mizor mbajtën ndaj Aulon Kalasë. Në qindra protesta ka protestuar paqësisht dhe me dinjitet. U bëj thirrje intelektualëve, duhet t’i dilni zot vendit tuaj që po shkatërrohet” – u shpreh Berisha.

Të përshëndes përzemërsisht heronjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës.

Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut.

Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat.

Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve.

Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë.

Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve. Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura.

Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja. Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë”, u shpreh ai.

ME TE LEXUARAT