OBSH: 19% e të rinjve duhanpirës, fenomeni në rritje. Ekspertët: 90% e rasteve vijnë nga familje duhanpirëse

Duhanpirja tek të rinjtë po shënon rritje në Shqipëri. Të dhënat e fundit të OBSH vërejnë se 19% e të rinjve janë përdorues të duhanit në vendin tonë. Sipas ekspertëve të ISHP, studimet tregojnë se përdorimi i duhanit nis nga historiku i familjes.
“Vërehet se ka një rritje të përdorimit të produkteve të duhanit, veçanërisht tek adoleshentët. Është një fenomen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Evidencat tregojnë se të rinjtë dhe adoleshentët që kanë familjarë duhanpirës, kanë një rrezik të lartë për të filluar duhanin. Fëmijët dhe adoleshentët që janë të ekspozuar ndaj duhanit kanë 90% shanse të pijnë duhan”, thotë për Tv Klan Naun Sinani, specialist i ISHP.
Ekspertët thonë se krahas varësisë, duhanpirja shkakton tek të rinjtë edhe pasoja të shumta shëndetësore dhe psikologjike.
“Fillimi i duhanpirjes në moshën para 21 vjeç krijon më shumë varësi dhe nuk e lë dot më tej duhanin”, thotë Sinani.
“Duhanpirja shfaqet bashkë me sjelljen problematike tek adoleshentët. Shpesh është një sjellje që mbulon një sjellje sociale dhe psikologjike: stres, ankth, çrregullime të humorit, presion social për t’u bërë pjesë e një grupi. Duhanpirja është një sjellje e trajtueshme”, shprehet për Tv Klan Besmira Lahi, psikologe klinike.
Për specialistët, parandalimi kërkon më shumë punë tek adoleshentët.
“Duhet të ndërgjegjësojmë sa më shumë të rinjtë për dëmet që shkakton duhani, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët”, shton Sinani për Tv Klan.
“Parandalimi nis nga familja, ku i riu duhet të dëgjohet dhe të mos gjykohet. Në shkolla duhet të nxiten programet e zhvillimit emocional, ku të rinjtë të menaxhojnë emocionet e tyre dhe të flitet më shumë për stresin, si dhe të ketë më shumë prani të psikologëve”, vijon psikologia Lahi.
Duhanpirja dhe efektet e saj ndikojnë edhe në rritjen e sëmundshmërisë që lidhet me sistemin kardiovaskular, mushkëritë, sistemin riprodhues dhe diabetin. Pothuajse çdo vit në Europë regjistrohen 1.1 milion vdekje që kanë shkak kryesor duhanpirjen.


