Shkencëtarët bëjnë ‘magji’ në laborator, përftojnë domate me aromë kokoshkash

Në një serë kërkimore në provincën Zhejiang, në lindje të Kinës, domatet duken krejt të zakonshme, por mbajnë një aromë ndryshe, atë të kokoshkave me gjalpë.
Nuk ishte rezultat i një kryqëzimi të rastësishëm, por i një ndërhyrjeje të saktë në gjenomën e domates, të kryer me mjetin CRISPR/Cas9. Dy gjene përgjegjëse për shtypjen e përbërësve aromatikë u çaktivizuan njëkohësisht. Më pas, domatet filluan të lëshonin aromën e ngjashme me kokoshkat e freskëta me gjalpë.
Në vend që të përpiqej të rikthente profilin tradicional të shijes së domates, një ekip studiuesish kinezë dhe australianë u frymëzua nga ushqimi i shpejtë, i preferuar nga shumë njerëz.
Duke përdorur CRISPR/Cas9, ekipi krijoi linja domatesh me mutacion të vetëm dhe të dyfishtë. Pas konfirmimit të mungesës së efekteve anësore, bimët hynë në fazën e testimit të aromës.
Vullnetarët u ftuan të vlerësonin frutat. Domatet shfaqën një aromë si kokoshkat, si në frut, ashtu edhe në gjethe. Në versionin me mutacion të dyfishtë, ku të dy gjenet ishin çaktivizuar, përqendrimi i aromës u rrit katër herë.
Me fjalë të tjera, natyra nuk kishte prodhuar kurrë një domate me aromë kokoshkash, por laboratori po.
Domatet me mutacion nuk shfaqën dallime nga varietetet e zakonshme. Koha e lulëzimit, lartësia e bimës, pesha e frutit, sheqernat e tretshme dhe acidet organike mbetën të pandryshuara./Shqiptarja