Testi i ri i gjakut mund të parashikojë vite përpara shfaqjen e Alzheimerit

Një test i ri gjaku mund të parashikojë se kur do të nisin simptomat e sëmundjes së Alzheimerit, duke u dhënë pacientëve mundësinë të fillojnë trajtime parandaluese më herët. Zbulimi vjen nga një studim i publikuar në revistën shkencore Nature.
Studiuesit zbuluan se matja e proteinës p-tau217 në plazmën e gjakut mund të tregojë me mjaft saktësi kohën kur një person do të fillojë të shfaqë shenja të demencës.
Kjo proteinë lidhet ngushtë me grumbullimin e beta-amiloidit dhe tau-s në tru, dy faktorë kyç që besohet se shkaktojnë Alzheimerin.
Sipas autorit kryesor të studimit, Kellen K. Petersen nga WashU Medicine, këto proteina grumbullohen në mënyrë të parashikueshme, të ngjashme me unazat e një peme që tregojnë moshën e saj. “Nëse dimë sa ‘unaza’ ka, mund të parashikojmë sa kohë ka deri në shfaqjen e simptomave,” shpjegoi ai.
Modelet e zhvilluara nga studiuesit të quajtura “modele ore” arritën të parashikojnë fillimin e simptomave brenda një intervali prej tre deri në katër vitesh. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi metodat aktuale për zbulimin e Alzheimerit shpesh kërkojnë skanime të shtrenjta PET ose analiza të lëngut cerebrospinal.
Autorja e lartë e studimit, Suzanne E. Schindler, theksoi se testet e gjakut janë shumë më të përballueshme dhe të aksesueshme sesa metodat e imazherisë së trurit.
“Puna jonë tregon se është e mundur të përdoren analiza të thjeshta gjaku për të parashikuar fillimin e simptomave,” tha ajo.
Studimi zbuloi gjithashtu se koha e shfaqjes së simptomave varet nga mosha kur niveli i p-tau217 bëhet i lartë. Për shembull:
Një person 60-vjeçar me nivel të rritur të proteinës mund të mos zhvillojë simptoma deri rreth moshës 80 vjeç.
Shkencëtarët shpresojnë se kjo metodë do të çojë në trajtime më të hershme dhe më efektive, madje edhe në përdorim rutinë klinik në të ardhmen.
Nëse teknika përmirësohet më tej, ajo mund të lejojë mjekët të parashikojnë me saktësi individuale se kur do të fillojnë simptomat duke hapur rrugën për ndërhyrje para se dëmtimi i trurit të bëhet i pakthyeshëm./ORA


